Sporti

“Një buzëqeshje dhe stadiumi tërbohej”, Pique: Ndeshjet ndaj Espanyol shijonin më shumë se ndaj Realit

11/10/2023 10:45
nga:E K

Gerard Pique vijon të provokojë ambientin e Real Madrid. Pasi u shpreh se madrilenët nuk do të mbahen mend për Championsin e fundit të fituar prej tyre pasi ia dolën vetëm prej fatit, tashmë, ish-mbrojtësi i Barcelonës thekson se ndeshjet derbi kundër Espanyolit i shijon më shumë se ato ndaj “Los Blancos”.

“Mua më pëlqen të provokoj, nuk i kuptoj njerëzit që nuk munden t’i përballojnë provokimet. Unë luaja në fushën e Espanyol apo të Realit dhe nuk më interesonte për atë që ndodhte në tribuna. Nuk i jepja rëndësi. Por, e bukura ishte se mjaftonte një buzëqeshje e imja për t’i nxehur të gjithë tifozët. Kritikat nuk duhet të të prekin, pasi nëse ndodh e kundërta atëherë ke nevojë për ndihmë. Ata që të shajnë në rrjetet sociale, janë po të njëjtët që kërkojnë foto kur të shohin në rrugë.

Në fundin e karrierës, mua më shijonin më shumë ndeshjet kundër Espanyol se ato ndaj Real Madrid. Më emociononin shumë më shumë. Ishte ndjesi e veçantë të luaje në fushën e Espanyol, nuk të prisnin edhe aq keq. Ka pasur ndeshje të cilat kanë shkuar shumë mirë.

Paratë? Nëse vëzhgon mirë, në ditët e sotme futbollistët tërhiqen në një moshë shumë më të madhe. Edhe unë mund të luaja akoma, por unë i marr vendimet në bazë të asaj që ndjej. Menaxheri më telefonoi, mund të më gjente skuadër, por i thashë se nuk isha më i motivuar.

Mund të luaja ende në një skuadër për para. Por, paratë nuk më kanë motivuar kurrë, nuk kam bërë kurrë një zgjedhje duke menduar aspektin ekonomik. Ne futbollistët jemi shumë të privilegjuar sepse kemi mjaftueshëm para për të pasur lirinë që na duhet dhe për të vazhduar të qetë në rrugëtimin tonë”, u shpreh Pique.