Sporti

“Një bukuri e rrallë natyrore në mes të Beogradit”, Skyfter Blakaj rrëfen emocionet e ndeshjes Serbi – Shqipëri

10/14/2023 19:57
nga:Mergim Rreci

Sot janë bërë nëntë vjet prej kur Ismail Morina, i njohur me emrin Ballist Morina, ngriti mbi qiellin e Beogradit flamurin e Shqipërisë Etnike me mbishkrimin “Autochthonous”.

Më 14 tetor 2014 po luhej ndeshja mes kombëtares së Shqipërisë dhe Serbisë, ku në minutën e 42-të, flamuri kuqezi u shfaq mbi stadium, duke bërë që ndeshja të ndërpritej.

Flamuri “Autochthonous” u kap nga lojtarët serbë, gjë që bëri të ndërhyjnë Taulant Xhaka dhe Andin Lilës duke ua marrë serbëve atë nga duart.

Dhuna më pas shpërtheu nga huliganët serbë, të cilët me një ulëse plastike e sulmuan Balajn.

Ishte kapiteni Lorik Cana, i cili më pas e grushtoi huliganin, e më pas ndeshja u ndërpre përfundimisht.

Shqipëria e fitoi ndeshjen me rezultat zyrtar në tavolinë 0:3, teksa po atë vit kombëtarja shqiptare u kualifikua për herë të parë në Kampionatin Evropian.

Komentatori i njohur kosovar, Skyfter Blakaj ishte në komentim të asaj ndeshjes në Radio Televizionin e Kosovës dhe tashmë tregon emocionet e mëdha dhe të papërshkrueshme që i dhuroi ajo natë.

“Siç edhe mund të mendohet, edhe pa ngjarjet e ndodhura, ndeshja ka qenë jashtëzakonisht me ngarkesë të madhe. Ajo që mbaj mend shumë mirë ishte se Shqipëria ishte shumë më e mirë në fushë gjatë gjithë kohës që u zhvillua ndeshja, duke rrezikuar disa herë portën dhe vetëm fati e shpëtoi Serbinë pa pësuar gol. Është pak e mangët me i shpjegu emocionet e asaj nate“, tha fillimisht Blakaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Tutje, ai rrëfeu emocionet kur pa dronin me flamurin “Autochthonous”, i cili duket se i dha kënaqësinë e ‘botës’ në ato momente.

“Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme kur pashë atë flamur mbi stadiumin e Beogradit, gjë që më zuri në befasi, prandaj reagimi im i parë ishte me fjalët: Bukuri e rrallë natyrore në mes të Beogradit dhe qesha me zë. Definitivisht diçka që nuk do të përsëritet kurrë më”, përfundoi Blakaj.

/GazetaBlic Sport/