Një fregatë e marinës gjermane është nisur për në Detin e Kuq, ku Berlini planifikon ta marrë pjesë në një mision të BE-së për të ndihmuar në mbrojtjen e anijeve të mallrave nga sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani.
Hessen u nis nga porti i Detit të Veriut të Wilhelmshaven me rreth 240 persona në bord, raporton Associated Press.
Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të nënshkruajnë misionin në Detin e Kuq më 19 shkurt. Zyrtarët kanë thënë se shtatë vende në bllok janë gati të ofrojnë anije ose avionë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se misioni i BE-së – ndryshe nga forcat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në rajon – nuk do të kryejë asnjë sulm ushtarak.
Ndërkaq, kancelari gjerman Olaf Scholz po shkon në Uashington dhe atje do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden të premten. Përveç diskutimit të luftës në Ukrainë, ai synon gjithashtu të diskutojë planet për forcimin e aleancës perëndimore të mbrojtjes së NATO-s dhe luftën Izrael-Hamas, thanë zyrtarët e qeverisë gjermane.
Reuters raporton se duke folur në aeroportin e Berlinit para nisjes së tij, Scholz tha se Gjermania ndjen përgjegjësinë për të qëndruar në krah të Izraelit ndërsa zhvillon kushtet e nevojshme për një paqe të qëndrueshme në rajon, si një zgjidhje me dy shtete dhe ndihma humanitare për Gazën.