Opinion

Nja dy fjalë për muzikë dhe turizëm!

08/04/2021 23:57
nga:Ardian Gjini

Shkruan: Ardian Gjini

Ka më shumë se tri dekada që e kam një fiksim. Kurdo që inatosem, apo edhe kur gëzohem me diçka jopersonale, më duhet t’ia spjegoj vetes pse! Duhet të gjej arsye logjike për aq sa mundem, pse jam inatosur apo pse jam gëzuar.

Njejt provova edhe tani, kur në disa vende në Shqipëri lëshohet muzikë serbe.

Pse po inatosemi?

Për një shqiptar të Kosovës gjithçka e kuptueshme. E kaluara e afërt, krimet, lufta, sjellja aktuale e Srbisë ndaj Kosovës,… you name it!

Por ky nuk është inati im.

Inati im është naiviteti. Po më dhemb injoranca.
Logjikisht, nuk ka asgjë të keqe nëse serbët bëjnë pushime në Shqipëri, asnjë të keqe fare! Por serbët nuk kanë ardhur në Shqipëri për të dëgjuar muzikë serbisht. Ata kanë ardhur për detin, natyrën, shërbimet, çmimet, etj. Edhe për faktin se nuk kanë nevojë për test PCR meqë ra fjala.

Ata kur janë nisur për Shqipëri, logjikisht kanë besuar se do ndëgjojnë muzikë shqipe apo muzikë të popullarizuar. Aspak nuk janë joshur nga shpresa se do ta ndëgjojnë Cecen në Shqipëri.
Pse atëherë ndodh kështu? Muzika shqipe është fantastike, e të gjitha zhanreve!!

Ne kemi bërë pushime në Kroaci, në Greqi, në Mal të Zi, Bullgari e kudo tjetër. Askund nuk kanë vepruar kështu!

Turizmi është biznes shumë i rëndësishëm, por mund të shfrytëzohet edhe për promovimin e kulturës, artit, historisë e gjitjçkaje tjetër që kombi e ka të veten. Kështu bëjnë të gjithë.
Edhe tek festa e birrës, “do you mind please!!”, muzika Korçare është një nga margaritarët e kulturës shqiptare! Mund ta promovoni. Në një periudhë pak më afatgjate iu sjell më shumë LEK se Goran Bregovic!

Vëllezër e motra, iu dua shumë! Prandaj po më dhëmb ky naivitet!

Nuk jam më i inatosur, por po më vjen marre!
Sepse ju jeni më të mirë, e keni detin fantastik, muzikën fantastike, kuzhinën fantastike! Tjerët kanë nevojë për ju, jo ju për ata. Tjerët e kanë kuptuar këtë fakt. Kuptojeni edhe ju!