Lajme

Nis shqiptimi i gjobave përmes kamerave të sigurisë në Prishtinë

11/26/2025 15:32
nga:N K

Drejtoria e Policisë në kryeqytet ka nisur zyrtarisht shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në trafik duke përdorur monitorimin e kamerave të sigurisë të instaluara në rrugët kryesore të Prishtinës.

Sipas Policisë së Kosovës, funksionalizimi i këtij sistemi të avancuar ka për qëllim rritjen e sigurisë publike, menaxhimin më efikas të trafikut dhe identifikimin e rasteve të ndryshme që cenojnë qarkullimin e sigurt.

“Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Pas identifikimit gjobat do të dërgohen në adresat postare të kundërvajtësve”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thekson se përdorimi i kamerave është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të trafikut, duke synuar rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion.

Ajo apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, që të respektojnë rregullat e trafikut, ngase qëllimi kryesor i këtij sistemi është parandalimi, siguria publike dhe ruajtja e jetës së qytetarëve.