Lajme

Nis operacioni për shuarjen e zjarrit nga ajri në Sazan të Vlorës

06/07/2022 14:06
nga:Q R

14 vatra zjarri u neutralizuan në ishullin e Sazanit mbrëmjen e së hënës duke sjellë përmirësim të situatës.

Megjithatë beteja me flakët vijon edhe në ditën e 4. Krahas punës së forcave tokësore, po ndërhyhet edhe nga ajri.

Një avion zjarrshuajtës ‘Canadair CL 415’ ka mbërritur nga Greqia si mbështetje e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian.

Mëngjesin e kësaj të marte ai nisi operacionet e hedhjes së ujit nga ajri në vatrën kryesore të zjarrit.

Rreth 100 trupa të tjerë të Forcave të Armatosura i janë bashkuar efektivëve të Forcës Detare dhe Tokësore, atyre zjarrfikëse dhe punonjësve të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.

Ekspertët vlerësojnë se pavarësisht ndërhyrjes nga ajri, krijimi i brezit të shpyllëzimit mbetet thelbësor për izolimin total të zjarrit në zonat e ish-repartit ushtarak.

Rreziku më i madh janë municionet e pashpërthyera, që kanë mbetur aty prej kohës kur ishulli shërbente si një baze ushtarake.

Mbi ishullin e Sazanit është krijuar një mjegull tymi, që mund të dallohet prej qytetit bregdetar të Vlorës./Tv Klan/