Lajme

Nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, “bllokon” procesin e akreditimit

07/11/2021 12:32
nga:Gazeta Blic

Gëzim Tosuni, nipi i zv/kryeministrit Besnik Bislimi, me propozimet e tij dhe më pas bojkotimin e mbledhjes së Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë e ka “bllokuar” sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, duke pamundësuar vendimmarrjen për akreditimin e programeve akademike dhe pamundësinë e regjistrimit të studentëve të rinj.

Tosuni ka propozuar që 239 raporte të ekspetëve ndërkombëtarë për akreditimin e programeve akademike të shtyhen për shqyrtim deri në gusht me çka do të pamundësohet regjistrimi i studentëve në 94 programe akademike të Universitetit të Prishtinës, ndërsa shumë universitete publike, siç është ai i Gjilanit dhe Gjakovës rrezikohen të mbyllen, merr vesh Gazeta Blic.

Idenë e Tosunit e ka përkrahur edhe anëtari tjetër i KSHC-së, Seb Bytyqi.

Ndërkaq, i kontaktuar nga Gazeta Blic, Tosuni nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara në lidhje me shtyerjen e mbledhjes së KSHC-së dhe bojkotimin e saj.

Ai shkurt përmes postës elektoronike ka theksuar se “këto pohime që bëni ju, janë skajshmërisht të pasakta dhe jashtë kontekstit”.

Ndërsa, kryesuesja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi e ka arsyetuar shtyerjen e mbledhjes.

“Në mbledhjen e KSHC-së me datë 07/07/2021, janë diskutuar opsione për menaxhimin e procesit të vlerësimit dhe vendimmarrjes në lidhje me aplikime për akreditim të institucioneve dhe programeve të arsimit të lartë. Shqetësimi i përbashkët ka qenë, dhe është, materiali voluminoz i cili duhet shqyrtuar për të marrë vendime. Keni parasysh se shkaku i mosfunksionalitetit të KSHC-së me muaj, kanë mbetur peng 239 aplikacione. Në mbledhjen e kaluar janë marrë vendime në lidhje me akreditime institucionale, ndërsa pritet që në mbledhjen e ardhshme të shqyrtohen edhe programe të mbetura. Mbledhja e radhës pritet të mbahet nga fundi i korrikut, me shumë gjasa me 27 korrik. Shqetësimet e UP-së dhe të gjitha institucioneve tjera publike dhe private janë legjitime, ndërsa me gjithë mirëkuptimin për presionin në lidhje me hapjen e konkurseve, duhet të kemi parasysh dy gjëra: sasinë e materialeve dhe koordinimin e prezencës së anëtarëve të KSHC-së, veçanërisht atyre ndërkombëtare, në mënyrë që votimi të jetë legjitim. Jemi të vetëdijshëm për presionin e institucioneve për hapjen e konkurseve, dhe punojmë në drejtim që ta përmbyllim procesin sa më shpejt, por jo aq shpejtë sa të shkojë në dëm të cilësisë. Shfrytëzoj rastin të bëj apel të gjitha institucioneve që janë në procedurë të akreditimit që të mos hapin konkurse pa vendime përfundimtare nga KSHC”, tha ajo për Gazeta Blic.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Gjakovës Artan Nimani tha për Gazeta Blic se kanë informata për mbledhjen e mbajtur, por s’ka informata të sakta.

“E di që e kanë mbajtur një mbledhje. Disa vendime i kanë marrë, ndërsa disa të tjera i kanë shtyer për një kohë tjetër. Kjo është sipas fjalëve që kemi arritur t’i sigurojmë, pra jozyrtarisht”, tha ai.

Nimani ka njoftuar se e kanë pasur një mbledhje mes rektorëve, “ku e kemi përgatitur një shkresë që do t’ia dërgojmë Agjencisë, Këshillit Shtetëror, ministres edhe komisionit parlamentar për arsim, sepse mbledhja e para tri ditëve nuk ka përfunduar, por që e njëjta është shtyer për 21 Korrik”.

Sipas tij, kjo gjendje është jashtëzakonisht shqetësuese, pra nëse shtyhet, për shkak se e ç’orienton sistemin e arsimit.

“Në shkresën e lartëcekur kemi kërkuar që procesi i vendimmarrjes të shkojë në procedurë të përshpejtuar. Në bazë të udhëzimit administrativ thuhet se Këshilli Shtetëror i Cilësisë dhjetë ditë më herët pajiset me dokumentacion. Tash ne nuk jemi fajtorë pse KSHC është vonuar. Situata është shqetësuese. Në mbledhje të senatit e diskutuam. Nuk e dijmë se kur ta bëjmë pushimin kolektiv të stafit, as datat apo afatet”, tha ai.

Siç mëson Gazeta Blic, anëtarët vendorë të KSHC janë të obliguar që të marrin pjesë fizikisht në mbledhjet e KSHC, por Tosuni e Bytyqi kanë shpërfillur këtë rregull dhe janë kyçyr në mbledhje sikur anëtarët ndërkombëtarë nga distanca.

Ndryshe, më 17 qershor të këtij viti me procedurë të shpejt janë zgjedhur anëtarët e KSHC me arsyetimin e kryetarit të Komisionit për Arsim nga Vetëvendosje, Ardian Gola, se “nëse nuk vendoset vendoset për akreditimet sistemi i arsimit do të kolapsojë”.

Një burim i afërt me Ministrinë e Arsimit i ka thënë gazetës se ata janë të shqetësuar me veprimet e fundit të KSHC-së.

Universitetet publike tashmë nuk mund të shpallin konkurse për regjistrimin e studentëve të rinj derisa nuk vendoset për akreditimet. Sidomos me këto zvarritje po dëmtohet Universiteti i Prishtinës me 94 programe të bllokuara, Universitetet e Gjilanit dhe Gjakovës kanë mbetur të mbyllura tërësisht, ndërsa dhjetëra programe të Universiteteve tjera publike në Ferizaj, Mitrovicë dhe Prizren nuk do të mund të regjistrojnë studentë në shumicën e programeve që ata ofrojnë.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti ka folur pas shtyerjes s mbledhjes së KSHC-së.

Ai thotë se mësimi për të gjithë studentët në tetor mund të nisë vetëm nëse konkursi hapet në fund të këtij muaji, në të kundërtën thotë se afati i dytë për pranimin e studentëve do të zhvillohet tek në muajin tetor.

Ai shprehet se hapja e konkursit varet nga vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të UP-së, e që thotë se në skenarin më të mirë një gjë e tillë mund të bëhet deri në fund të këtij muaji.

“Sipas analizës rezulton që nëse konkursi nuk arrin që të shpallet më herët sesa në fund të gushtit atëherë ne nuk kemi mundësi që të dy afatet t’i realizojmë brenda shtatorit, por njërin prej afateve po. Ne teorikisht do të mund të fillonim me 1 tetor vitin akademik, por jo me të gjithë studentët, për arsye se afati i dytë do të duhej të vazhdojë edhe në tetor. Nëse shpallet në fund të korrikut atëherë natyrisht na mundësohet që të dy afatet t’i realizojmë gjatë shtatorit dhe të shkojmë me vit akademik me të gjithë studentët përnjëherë”, thotë ai.

Ai i bënë ftesë Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të punojnë me një dinamikë të shtuar, në mënyrë që procesi i akreditimit të përfundojë në kohë e që UP të mund të hap dyert për studentët e rinj.

Duke qenë se ende nuk dihet nëse do të akreditohen të gjitha programet e UP-së, Sahiti thotë se nuk kanë mundur të specifikojnë ende numrin e saktë të studentëve që do të pranojnë për vitin akademik 2021/2022.

Por, nëse do të bëhet akreditimi i të gjitha programeve, ai thekson se numri i studentëve që do të pranojnë do të jetë 6 mijë e 700 studentë.

Planifikimet që i kemi bërë me shifrat që na kanë ardhur nga njësitë akademike për programet që janë në proces të ri-akreditimit dhe ato të akredituara, nëse të gjitha ato programe akreditohen planifikojmë diku rreth 6 mijë e 700 studentë të ri t’i regjistrojmë në vitin akademik që pason. Në mesin e këtij numri 12 përqind janë si zakonisht të ndara për komunitetin joshumicë, 5 përqind për shqiptarët që jetojnë në viset përreth vendit tonë”, thekson ai.

Ndryshe, konfirm rregullativës ligjore Këshilli Shtetëror i Cilësisë angazhon qindra ekspertë ndërkombëtarë të fushave specifike në proces të akreditimit dhe raportet e tyre janë përfundimtare, përveç nëse ka ndonjë gabim teknik.

 

Mosakreditimi rrezikon shtyrjen e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin e Prishtinës