Lajme

Nimoni: Kemi 2-3 modalitete tjera të Ligjit për Këshillin Prokurorial, nuk do të preket substanca

03/28/2023 20:06
nga:G B

Genc Nimoni, këshilltar i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se do ta presin Aktgjykimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese, para se të vendosin se çka do të ndodhë me Ligjin për Këshillin Prokurorial.

Megjithatë ai ka thënë se i kanë 2-3 modalitete të tjera në tavolinë, për një ligj të ri.

“Ne do të vazhdojmë, jemi serioz në këtë reformë dhe do të vazhdojmë me të gjitha modalitetet që në përputhje edhe me kornizën tonë kushtetuese, por edhe me standardet ndërkombëtare. Tash nuk mund të jap shumë detaje sepse nuk e kemi pa ende Aktgjykimin e arsyetuar, dmth me të gjitha detajet. Kemi shikuar edhe modalitete të tjera, kemi punuar në këto ditë edhe në modalitete të tjera po tash kemi 2-3 të tilla në tavolinë, por nuk mundem asgjë të them, as të veproj pa e parë aktgjykimin”, ka thënë Nimoni në Ditari në Tëvë 1.

Megjithatë, sipas tij nuk do të preket substanca e ligjit që u rrëzua nga Kushtetuesja.

“Mund të jetë hartim i ligjit. Kjo reformë do të vazhdohet. Një gjë është e rëndësishme që nuk preket substanca. Kur them substanca, është ajo që ulja e numrit nga 13 në 7 dhe balancimi me anëtarë prokurorë/joprokurorë. Se si do të bëhet kjo, do ta shohim”, ka shtuar ai.