Sporti

Nigeria bojkoton ndeshjen kualifikuese të AFCON 2025 në Libi – shkak “trajtimi çnjerëzor”, pritën 17 orë në aeroport

10/14/2024 16:08
nga:Lorik J

Kombëtarja e futbollit e Nigerisë do të largohet nga Libia pa luajtur ndeshjen kualifikuese të Kupës së Kombeve të Afrikës 2025 pas “trajtimit çnjerëzor” të supozuar në vendin pritës, ka thënë Federata e Futbollit të Nigerisë (NFF).

Ekipi është mbajtur në një aeroport të braktisur në Libi për më shumë se 17 orë që kur aeroplani i tij ateroi të dielën, sipas kapitenit të Nigerisë, William Troost-Ekong.

Federata e Futbollit të Nigerisë tani po bën marrëveshje për t’i kthyer lojtarët në Nigeri përpara ndeshjes së tyre kundër Libisë të planifikuar për të martën.

“Lojtarët kanë vendosur të mos e luajnë më ndeshjen pasi zyrtarët e NFF-së po bëjnë plane për ta kthyer skuadrën në shtëpi”, tha të hënën zëdhënësi i NFF-së, Ademola Olajire.

Ekipi zbarkoi në Aeroportin Ndërkombëtar Al Abraq të dielën mbrëma dhe duhej të udhëtonte për në vendin e ndeshjes në Benina, në jug të kryeqytetit libian, Tripoli.

Troost-Ekong tha se skuadra nuk do të luajë ndeshjen dhe ata nuk do të bëjnë tre orë udhëtim me autobus nga Al-Abraq në Benina për arsye sigurie.

“Si kapiten i ekipit së bashku me skuadrën kemi vendosur që nuk do ta luajmë këtë lojë”, shkroi ai në një seri postimesh në mediat sociale duke përshkruar qëndrimin e ekipit në aeroport.

“Lërini të kenë pikët”, shtoi ai, duke treguar se skuadra e tij mund të humbasë pikë nëse ndeshja konsiderohet e humbur nga Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF).

Kapiteni i Super Eagles postoi foto të shokëve të tij të skuadrës duke fjetur në sedilje në aeroport.

/GazetaBlic Sport