Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj dy gjinekologëve, ushtruan kundërligjshëm veprimtarinë mjekësore

11/27/2024 11:35
nga:G B

Është ngritur aktakuzë ndaj personave nga ana e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Departamenti i Krimeve të Rënda, bën me dije se F.S dhe T.D, kanë kryer veprat “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë” dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri F.S., me datë 15.12.2023 në Prizren, rreth orës 22.30 min, pa autorizim përdorë pasurinë tjetër të luajtshme e cila i është besuar atij në detyrë apo në të cilat ka qasje për shkak të shërbimit apo punës së tij apo i jep pasurinë e tillë në shfrytëzim personit tjetër për shfrytëzim të paautorizuar, ashtu që duke punuar në cilësinë e mjekut Gjinekolog në repartin e Gjinekologjisë-Obstetrike në Spitalin e Prizrenit, ka pranuar për lindje pacienten-shtatzënë A.R., nga fshati Mushnikovë, e cila ka qenë në përcjellje të gjinekologes private T.D., edhe pse ishte mjek kujdestar në detyrë së bashku me mjekun tjetër M.B., nuk ndërmerr veprime zyrtare të cilat ka pasur për detyrë t’i ndërmarrë në parandalimin e mjekes T.D., që të hyjë në sallën e lindjes dhe ta kryejë lindjen. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë”sipas KPRK”, thuhet në njoftim.

“Ndërsa, e pandehura T.D., me datë 15.12.2023 në Prizren rreth orës 22:00 min, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, Prim. ‘’Daut Mustafa’’ pa pasur autorizimet ligjore kryen trajtime mjekësore – gjinekologjike duke mos qenë nëpunëse/mjeke pranë Spitalit të Prizrenit, me ç’rast pas ekzaminimit të pacientes A.R., në ambulancën e saj private, ka konstatuar se rasti është për lindje, ashtu që e shoqëron pacienten në fjalë deri në repartin e Gjinekologjisë Obstetrike në spitalin e Prizrenit, dhe pa lejen e mjekëve kujdestar F.S., dhe M.B., pas pranimit në repart duke mos lejuar mjekun F.S., që të bëjë ekzaminimin e pacientes, si dhe përkundër reagimit të mjekut tjetër kujdestar M.B., ka shkuar drejt në sallën e lindjes dhe ka kryer lindjen e pacientes. Me këto veprime, e njëjta ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” sipas KPRK”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.