Nënkryetari i Partisë Radikale Serbe, Aleksandar Sheshel, ka konfirmuar për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se është ngritur një aktakuzë në Hagë kundër babait të tij dhe liderit të radikalëve, Vojisllav Sheshel, si dhe katër zyrtarëve të tjerë të partisë.
Aleksandar Sheshel ka deklaruar se aktakuza e Hagës përveç Vojisllav Sheshelit është ngritur edhe kundër Millan Damjanoviqit, Lilana dhe Ognjen Mihajlloviqit dhe Mirolub Ignjatoviqit. Aktakuza u ngrit nga Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur në Hagë, pasardhësi i Tribunalit të Hagës.
“Është e vërtetë që është ngritur aktakuza. Është një aktakuzë e re për mospërfillje të gjykatës, është një “vepër e trilluar” që Gjykata e Hagës i ka dhënë vetes të drejtën ta prezantojë si vepër penale dhe kjo do të thotë se çfarëdo që ata të vlerësojnë se është mospërfillje të gjykatës ata mund të akuzojnë dikë”, ka thënë Aleksandar Sheshel.
Ai ka deklaruar se aktakuza e re u ngrit për shkak se radikalët publikuan libra dhe materiale të tjera të shtypura, si dhe video dhe audio materiale që zbulojnë se si dëshmitarët e prokurorisë në Tribunalin e Hagës, sipas fjalëve të tij, “ishin udhëzuar dhe korruptuar që të dëshmojnë kundër Vojisllav Sheshelit në lëndën e tij themelore”


