Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Z.P, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Në njoftim thuhet se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri Z.P, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen, plagosjen, dëbimin masiv dhe plaçkitjen e qytetarëve civil të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë.
Tutje, thuhet se prokurori i Shtetit ka propozuar zhvillimin e gjykimit në mungesë, duke qenë së i pandehuri është në arrati.
“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kryesit e tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, është thënë në njoftim.