Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën në orët e para të mëngjesit, ku një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me vdekjen e një 24-vjeçari dhe plagosjen e dy personave të tjerë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30 në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Sipas të dhënave paraprake, 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj Qamil Lulit, 63 vjeç, dhe djalit të tij Ylber Lulit, 24 vjeç.
Si pasojë e plagëve të marra, Ylber Luli ka ndërruar jetë në spital. I plagosur ka mbetur edhe 63-vjeçari Qamil Luli.
Ndërkohë, gjatë konfliktit, 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se është plagosur me thikë nga babë e bir. Pas ngjarjes, ai është kapur dhe shoqëruar nga shërbimet e Policisë.
Në vendngjarje, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, dyshohet se, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. V. ka plagosur me armë zjarri shtetasit Q. L., 63 vjeç, dhe Y. L., 24 vjeç, babë e bir.
Këta të fundit dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. V., 25 vjeç.
Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Y. L., 24 vjeç, ka ndërruar jetë në spital.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. V., si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, pistoletë, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.


