Lajme

“Ngjallen shpresat, s’ka më zvarritje”, liberalizimi i vizave për Kosovën mund të arrihet në vitin tjetër

09/27/2022 13:21
nga:G C

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor është një lajm i mirë.

Në një prononcim për GazetaBlic, Hyseni thotë se tashmë që kanë kaluar më shumë se gjashtë vite, nga koha kur BE kishte dhënë rekomandim për këtë çështje, pret që të ketë një vendim meritor për liberalizimin e vizave të Kosovës.

“Është lajm i mirë futja ne rend dite e liberalizimit të vizave pë Kosovën në takimin e tetorit!Pak me shume se gjashtë vite nga dita kur nga BE ishte dhënë rekomandimi për liberalizim në maj të vitit 2016, mendoj se tashmë ka një konsensus që më në fund të mirret vendimi meritor”, thotë Hyseni.

Hyseni shton faktin se tani nuk ka asnjë justifikim për zvarritje, dhe beson që heqja e vizave për kosovarët do të mirret këtë vit.

“Nuk ka më asnjë justifikim për zvarritje. Prandaj unë kam besim se vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës do të mirret ketë vit”, tha Hyseni për GazetaBlic.

Edhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula i tha GazetësBlic se liberalizimi i vizave si temë diskutimi në BE, ngjallë shpresat për një qarkullim të lirë të qytetarëve.

“Përgjatë këtij takimi që do të zhvillohet nga mesi i muajit tetor, besoj që shtetet anëtare do ta pranojnë propozimin e presidentes çeke që liberalizimi i vizave të vendoset formalisht në rend të ditës së tyre, si pikë diskutimi.Unë shpresoj që do të merret parasysh edhe propozimi i Paralamentit Evropian për heqjen e vizave”, tha Pula.

Pula thotë se edhe shtetet themeluese të Unionit Evropian, kanë ndërruar çasje sa i përket temës së liberalizimit të vizave për Kosovën dhe kjo, sipas tij është një shpresë e madhe.

“Një disponim është treguar edhe nga shtetet themeluese të Unionit Evropian, të cilët më herët kanë pasur hezitime apo mungesë të bindjes, për një vendimmarrje sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën”, thotë Pula.

Pula thotë se me shumë gjasë, në vitin e ardhshëm kalendarik do të liberalizohen vizat për kosovarët.

“Duke marrë parasysh disponimin e tyre për heqjen e vizave, atëherë në vitin e ardhshëm kalendarik, qytetarët e Kosovës mund të shfrytëzojnë të drejtën e qarkullimit të lirë”, tha Pula për GazetaBlic.

Kujtojmë se, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, konfirmojnë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

/GazetaBlic/