Ndeshja e nesërme me Ukrainën është shumë e rëndësishme për Kombëtaren shqiptare, duel që starton në orën 20:45 në “Air Albania” dhe është i fundit për Nations League dhe për këtë vit kalendarik. 3 pikët janë mëse të detyrueshme për kuqezinjtë, të cilët synojnë vendin e parë në grup për të kaluar nga Liga B në Ligën A.
Por Ukraina ka në dorë “fatet” e “djemve” të Sylvinhos. Gjithçka në grupin B1 është e hapur dhe një fitore do të të jepte mundësinë të tentojë kalimin në Ligën A dhe një humbje nga krahu tjetër do të rrëzonte në Ligën C. Ndërsa barazimi do t’i mbante po në Ligën B.
Tashmë kur ka mbetur vetëm 1 ndeshje për t’u luajtur, ju zbulojmë të gjithë skenarët e mundshëm të Kombëtares. Aktualisht Shqipëria ndodhet në vendin e 3-të në grup me 7 pikë, po aq sa Gjeorgjia, ndërsa kanë 1 pikë më pak se Çekia dhe 2 pikë më shumë se Ukraina.
Sigurisht që fitorja automatikisht do t’u siguronte kuqezinjve vendin e dytë në grup, nëse Çekia fiton ndaj Gjeorgjisë. Por nëse fitojnë kuqezinjtë dhe gjeorgjianët atëherë sërish do të ishin në vendin e dytë, pasi kanë golavarazh më të keq se Gjeorgjia. Në këto kushte Sylvinho do të tentonte kalimin në Ligën A me atë të sfidës “Play-Off” që luhet në mars.
Por në rast fitoreje dhe një barazimi mes Çekisë dhe Gjeorgjisë, Shqipëria do të siguronte vendin e parë në grup dhe kalimin direkt në Ligën A. Por nëse fati nuk është me ne dhe mposhtemi nga Ukraina, atëherë fatkeqësisht do të rrëzoheshim në Ligën C, gjë e cila nuk do ta donte asnjë prej nesh.
Ndërkohë në rast barazimi me Ukrainën dhe çfarëdo lloj rezultati të ketë sfida me Çeki-Gjeorgji, ne do të mbanin vendin e 3-të dhe do të siguronim qëndrimin në Ligën B. Tashmë mbeten 90-të minutat e lojës për të përcaktuar fatet e grupit B1 në Nations League .