Lajme

Nga shoqëria civile thonë se arsyetimet e Avokatit të Popullit për të refuzuar kërkesën e Dakës nuk qëndrojnë

11/19/2021 00:48
nga:Gazeta Blic

Valdete Daka ishte shumë optimiste kur iu drejtua Avokatit të Popullit për të dërguar në Kushtetuese çështjen e shkarkimit të saj nga Presidentja, por tri javë më vonë ish-kryetares së KQZ-së iu refuzua kërkesa.

Përmes një njoftimi institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se më 18 nëntor 2021, ka marrë vendim që të refuzojë kërkesën e paraqitur nga Valdete Daka.

“Avokati i Popullit vëren se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 84, paragrafi 26, e përcakton kompetencën e Presidentes për të emëruar Kryetarin e KQZ-së, ndërsa e njëjta mbetet e heshtur sa i përket shkarkimit apo edhe ndërprerjes së mandatit të tij/saj”.

Po ashtu Avokati i Popullit ka vlerësuar se çështja e ngritur nga znj. Daka paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e Vendimit të Presidentes, e që kjo nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërsa arsyetimi i dytë i Avokatit të Popullit thotë se ish-kryetarja e KQZ-së nuk i ka shterur të gjitha mjetet juridike.

“Ligji për Avokatin e Popullit, neni 22, paragrafi 1, nën-paragrafi 4 përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar. Në rastin konkret znj. Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se arsyetimet e Avokatit të Popullit për refuzimin e kërkesës së Dakës nuk qëndrojnë.

“Kjo çështje ka pasur të bëjë me çështje kushtetuese duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një dekret të Presidentes i cili dekret i jep bazë Avokatit të Popullit për ta dërguar çështjen në Kushtetuese…Ne kemi pasur raste edhe në të kaluarën kur Gjykata Kushtetuese nuk kërkon shterjen e mjeteve juridike sidomos të rasteve kur kanë një urgjencë të veçantë apo kur kemi të bëjmë me bartës të institucioneve kushtetuese siç ka qenë zonja Valdete Daka”, deklaroi Yll Zeka.

Presidentja Osmani si arsyetim për shkarkimin e Dakës ishte se “ajo kishte shkelur integritetin e KQZ-së”.