Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Kosova dhe Serbia do të bëjnë kompromise të vështira për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, të cilat do të sjellin siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Këtë e ka thënë në letrën që i ka dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me Ditën e Shtetësisë, me 15 shkurt.
“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, shkroi Blinken.
Derisa në letrën vitin e kaluar ai kishte kërkuar njohje reciproke nga Serbia për Kosovën, në këtë letër është theksuar vetëm normalizim i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic janë deklaruar pozitë e opozitë dhe analistë.
Deputeti i VV-së, Agon Batusha, thotë se fjala ‘normalizim’ ka shumë kuptime, e që për ne është edhe pika qendrore e normalizimit është njohje e ndërsjellë mes dy vendeve.
“Nuk e kam parë letrën. Gjithsesi që duhet të normalizohen marrëdhëniet ndër fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë. Por, fjala “normalizim” ka shumë kuptime përbrenda e një ndër to për NE, e që është edhe pika qendrore e normalizimit është njohje e ndërsjellë mes dy vendeve. Andaj, ne mbesim të përkushtuar në dialog, të gatshëm të përgjigjemi ftesave dhe iniciativave, por natyrshëm ne do t’i mbrojmë interesat tona shtetërore dhe kombëtare”, thotë ai për Gazeta Blic.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, vlerëson se kjo sot është devijim i procesit të dialogut që ka pasur synim njohje reciproke dhe se tani marrëveshja e pranuar nga Kurti është kthim prapa dhe humbje e madhe për Republikën e Kosovës.
“Ajo çfarë shohim ne sot nga procesi i dialogut ka të bëjë me devijimin e rrugës e cila ka qenë synim i shtetit dhe partnerëve tanë ndërkombëtar. Pra që dialogu të përfundojë me një marrëveshje përfundimtare dhe me njohje reciproke mes dyja vendeve. Tani marrëveshja që Kryeministri Kurti e ka pranuar në parim, është totalisht kthim mbrapa në proces dhe humbje e madhe për Republikën e Kosovës”, thekson ajo për Gazeta Blic.
Krasniqi potencon se deputetët nuk kanë qenë të informuar saktësisht për përmbajtjen e draft dokumentit të marrëveshjes përfundimtare.
“Për rrjedhojë, ne si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kemi qenë të informuar saktësisht për përmbajtjen e draft dokumentit të marrëveshjes përfundimtare – sepse gjatë gjithë këtij rrugëtimi ka munguar transparenca. Është shkelur edhe rezoluta e cila e obligon qeverinë që para dhe pas çdo takimi në Bruksel të raportojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thotë deputetja e LDK-së.
Se pse Blinken nuk e ka kërkuar këtë herë njohje, ajo thotë se duhet pyetur Kurtin si përgjegjës për dialog, teksa shton se qeveria çdo gjë e ka nisur mbrapshtë, mirëpo që LDK si opozitë do të shfrytëzojë çdo mjet ligjor për të penguar rrezikun dhe dëmin e madh që po synon t’ia shkaktojë vendit.
“Mendoj se kjo është një pyetje e cila duhet t’i parashtrohet Kryeministrit të Kosovës, sepse ai ka përgjegjësi për këtë pjesë. Por ajo çka mund të konstatojmë lirshëm ne si deputetë të opozitës është se kjo qeveri çdo gjë ka nisur mbrapshtë, prandaj edhe rezultatet nuk janë të mira. Por ne nuk do të lejojmë të përmbysesh gjithë atë sakrificë që është bërë për të sjellë vendin deri në këtë ditë. Do të shfrytëzojmë çdo mjet ligjor për të penguar rrezikun dhe dëmin e madh që po synon t’ia shkaktojë vendit”, deklaron Rrezarta Krasniqi.
Kurse, analisti politik, Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se Serbia është prioritet më i madh për amerikanët, që ta tërheqin jashtë orbitës ruse, se sa njohja e Kosovës nga ana e saj.
“Dallimin ndërmjet situatave e ka bërë gjeopolitika (agresioni rus në Ukrainë pra kundër zgjerimit të kufijve të NATO-s). Tash Serbia në interesin strategjik amerikan është më lart se Kosova në listën e prioriteteve amerikane në Evropën kontinentale. Tërheqja e Serbisë jashtë orbitës ruse është sot interes më madhor i ShBA-së se sa njohja e Kosovës nga Serbia”, thekson ai.
Por, sipas Matoshit, në ulje të interesimit për Kosovën ka dhënë kontribut edhe Kurti, duke bërë hapa të pakoordinuar dhe duke pasur përplasje me diplomatët amerikanë.
“Prandaj njohja e Kosovës nga shteti serb “u flijua” për këmbim me vënien e sanksioneve Rusisë nga ana e Serbisë. Por kësaj ulje të interesimit për Kosovën i ka dhënë kontribut edhe vet Kurti, me hapa të pakoordinuar dhe me përplasje me diplomatët amerikanë. Kush di sadopak për gjeopolitikën e kupton pse Kosova nuk mund ta sigurojë vetveten pa ShBA-në”, deklaron analisti Halil Matoshi./Gazeta Blic/


