Lajme

Nga një muaj paraburgim për tre persona, Gjykata në Prishtinë tregon për çka dyshohen ata

09/21/2023 16:00
nga:N K

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se u ka caktuar nga një muaj paraburgim tre personave të dyshuar. Njëri prej tyre, S.N. dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtare” dhe bashkëkryerje në veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Q.Th dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe i pandehuri Rr.K për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.N për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprës penale në bashkëkryerje Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, i pandehuri Q.Th për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe i pandehuri Rr.K për veprën penale në bashkëkryerje Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.N, Q.Th dhe Rr.K, andaj të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër tre të pandehurve dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni caktohet në bazë të nenit 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurve, ndikimi në dëshmitarë si dhe pesha e rëndë e veprës penale, andaj i njëjti ka konstatuar se masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë, për rrjedhjen e pa penguar të procedures penale, në këtë çështje juridiko – penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.