Lajme

Nga nesër ndërpritet qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë

01/25/2026 22:54
nga:G B

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se ka pranuar informata nga autoritetet kufitare të Serbisë se nga nesër, më 26 janar 2026, me fillim nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.

Sipas njoftimit, ndërprerja vjen si pasojë e protestës së paralajmëruar nga Shoqata e Transportuesve në Serbi, e cila është organizuar kundër masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shoferët e kamionëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Protesta do të mbahet në territorin e Serbisë dhe pritet të zgjasë deri në shtatë ditë.

QKMK paralajmëron se këto protesta do të ndikojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e mjeteve transportuese dhe mallrave, si dhe mund të shkaktojnë mbingarkesë të trafikut në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit që janë të përfshira në protesta.

“Shoqatat e transportit të mallrave apo shoferët e kamionëve mund të mbajnë kontakte me homologët apo kolegët e tyre në rajon për informata shtesë”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.