Në një lagje të qetë pranë Minneapolisit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një djalë 5-vjeçar u ndalua nga agjentët federalë të Emigracionit (ICE) në momentin kur po kthehej nga kopshti me të atin.
Sipas autoriteteve shkollore të qarkut Columbia Heights, agjentët ndërhynë teksa babai dhe fëmija ishin pranë banesës së tyre.
Babai u përpoq të arratisej por ndalua, ndërsa fëmija mbeti vetëm me oficerët.
Në ato momente, një i rritur tjetër që ndodhej aty iu lut agjentëve që fëmija të lihej në kujdesin e tij, por kërkesa u refuzua.
Shkolla e zonës akuzon agjentët e ICE se i kërkuan 5-vjeçarit të trokiste në derën e shtëpisë për të parë nëse kishte persona të tjerë brenda banesës, duke e cilësuar këtë veprim si “përdorim të fëmijës si karrem”.
Rreth 20 minuta më vonë, vëllai më i madh i fëmijës u kthye në shtëpi dhe zbuloi se babai dhe vëllai i vogël ishin marrë nga autoritetet. Aktualisht, sipas avokatit të familjes, ata ndodhen në paraburgim në Teksas. Familja nuk është shtetase amerikane, por ka aplikuar për azil dhe, sipas mbrojtjes ligjore, ka ndjekur të gjitha procedurat.
Drejtoresha e kopështit, Zena Stenvik, reagoi publikisht duke ngritur një pyetje të drejtpërdrejtë: “Pse ndalohet një fëmijë 5-vjeçar? Askush nuk mund të thotë se ky fëmijë përbën rrezik.”
Edhe mësuesja e fëmijës u shpreh e prekur, duke thënë se ai është një nxënës i qeshur dhe i dashur, që e bën klasën më të gjallë çdo ditë. Prindërit e tjerë kanë shprehur frikë dhe pasiguri, duke thënë se nuk ndihen më të qetë as kur fëmijët shkojnë në shkollë.
Nga ana tjetër, Departamenti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se fëmija nuk ishte objektiv i operacionit dhe se politika e ICE lejon që prindërit të zgjedhin nëse largohen bashkë me fëmijët ose i lënë ata në kujdes të një personi të sigurt.
Sipas autoriteteve shkollore, gjatë këtij muaji janë ndaluar edhe tre fëmijë të tjerë nga i njëjti distrikt, përfshirë dy 17-vjeçarë dhe një vajzë 10-vjeçare. Ngjarjet kanë shtuar tensionet në komunitet dhe kanë rikthyer debatin për politikat e emigracionit të administratës së president Donald Trump, veçanërisht kur ato prekin drejtpërdrejt fëmijët.
/Shqiptarja.com/


