Takimi dy orësh mes Albin Kurtit dhe përfaqësuesve të OVL UÇK-së, përfundoi pa asnjë marrëveshje edhe pse raportohet për disa propozime që Kurti ia dha veteranëve por, këta të fundit i refuzuan.
Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me përfaqësuesin e OVL-UÇK-së, Faton Klinakun i cili nuk deshi të komentoj më shumë rreth kësaj çështjeje.
“S’kam çfarë të them më, pas takimit me Kurtin i thash të gjitha në konferencë për medie”, tha ai për GazetaBlic.
Pas takimit me Kurtin, Klinaku tha se nuk ka marrëveshje teksa paralajmëroi protestë atë ditë që ka edhe seancë të Kuvendit.
“S`kemi marrëveshje, me Kurtin nuk u dakorduam, kërkuam të kthehet pika 3.1 që e ka ndryshuar kjo Qeveri bashkë me Kuvendin, pika 3.1 që i largon benificionet e veteranit të luftës, që nuk mund të jetë pensioni më e ulët se paga minimale” tha Klinaku.
Ndërsa, kryetari i shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se gjatë takimit me Kurtin nuk kishin parë asnjë reflektim.
Ai tha se do ta kundërshtojnë fuqishëm Projektligjin për pagën minimale, deri në realizimin e së drejtës së tyre.
“U pa se nuk ishte gatishmëri që të reflektojnë dhe ne jemi këtu dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm deri në realizimin e së drejtës”, ka thënë Jashari, duke shtuar se do të presin propozimin me shkrim të kryeministrit Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati./GazetaBlic/


