Lajme

Nga gjashtë muaj burgim me kusht për katër të akuzuarit për ryshfet në pikën kufitare Hani i Elezit

06/18/2024 13:14
nga:Y I

Të akuzuarit për dhënie ryshfeti në pikën kufitare Hani i Elezit, Bajram Krasniqi, Ahmet Abazi, Sabri Spahiu dhe Dardan Isaj u dënuan me dy vite burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë (së bashku), pasi iu aprovua marrëveshja për pranimin e fajësisë e arritur mes tyre dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të martën nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, katër akuzuarit e lartcekur secili veç e veç për veprën penale “Dhënie ryshfetit” u dënuan me nga 6 muaj burgim me kusht dhe me nga 1 mijë euro gjobë.

Sipas gjykatëses Musliu-Selimaj, dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet, nëse brenda periudhës verifikuese prej dy viteve të akuzuarit nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Ndërsa, dënimin me gjobë të njëjtit u obliguan që ta paguajnë në afat prej 5 muajve, pasi që ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.

Kurse, në rast se të akuzuarit dënimin me gjobë nuk mund ta paguajnë, ky dënim do t’iu zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.

Po ashtu, të akuzuarit secili veç e veç u obliguan që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Paraprakisht, në seancën e mbajtur në po të njëjtën ditë gjykata aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur në mes PSRK-së dhe të akuzuarve me mbrojtësit e tyre.