Pak orë pasi forcat amerikane kapën Nicolás Maduro-n, në një operacion ushtarak, zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez e deklaroi me bindje se ai mbetet “i vetmi president legjitim” i vendit. Ajo kërkoi lirimin e tij dhe deklaroi se qeveria në Karakas është e gatshme ta “mbrojë” vendin.
Megjithatë, ndonëse e dënoi ashpër rrëmbimin e Maduros, Rodríguez bëri thirrje për bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira me Washingtonin. Pikërisht kjo qasje e dyfishtë e ka bërë atë një figurë kyçe për një kalim të fortë politik në Venezuelë.
Rodríguez, 56 vjeçe, është juriste. Ajo ka kaluar gati një dekadë duke studiuar në Francë dhe Angli. Në të kaluarën ka shërbyer edhe për ish-presidentin Hugo Chávez, përfshirë si zëvendësministre për çështjet europiane.
Që nga viti 2018, ajo ka mbajtur postet e ministres së Jashtme dhe zëvendëspresidente, ndërsa në vitin 2024 u emërua edhe ministre e Naftës, një post vendimtar për një vend që varet pothuajse tërësisht nga eksporti i naftës. Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë, dhe presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë se qasja në këto burime është një objektiv kryesor i administratës së tij.
Siç shkruan France 24, këshilltarët e Trump besojnë se mund të bashkëpunojnë në heshtje me Rodríguez.
Pavarësisht deklaratave të saj publike, ajo shihet si një teknokrate pragmatiste, e gatshme të negociojë për çështjet e naftës. Nga ana tjetër, Rodríguez i ka mohuar publikisht pretendimet e Trump se ajo është e hapur për bashkëpunim me SHBA-të. Megjithatë, administrata amerikane vazhdon të dërgojë sinjale se është e interesuar të punojë me të, duke shoqëruar këtë interes edhe me kërcënime të nënkuptuara.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-të do ta gjykojë Rodríguez-in jo nga fjalët, por nga veprimet e saj si presidente në detyrë. Ndërsa Trump paralajmëroi se ajo mund të përballet me pasoja edhe më të rënda se Maduro nëse nuk përmbush kërkesat amerikane.
Të dielën, 4 janar, ushtria venezueliane që më parë kishte shpallur besnikëri ndaj Maduro-s, e njohu Rodríguez-in si udhëheqëse të përkohshme të vendit. Një ditë më pas, ajo u betua si presidente në detyrë, gruaja e parë që mban këtë post në Venezuelë, qoftë edhe përkohësisht.
Rodríguez ka qenë prej vitesh një nga bashkëpunëtoret më të besuara të Maduro-s. Ajo ishte objekt i sanksioneve amerikane dhe europiane që në vitin 2018, me akuza për minimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Si ministre e Naftës, ajo u përball me sfidën e rritjes së tregtisë së naftës, duke manovruar mes sanksioneve amerikane.
Ajo vjen nga një familje me histori të fortë politike të majtë. Vëllai i saj, Jorge Rodríguez, është kryetar i parlamentit, ndërsa i ati ishte aktivist marksist që vdiq në burg në vitin 1976. Analistët thonë se kjo histori e ka formësuar bindjen dhe stilin e saj politik.
Megjithëse nuk kishte një bazë të vetën elektorale, Rodríguez u shndërrua shpejt në një figurë kyçe në politikë dhe një besnike e Maduro-s. Në vitet e fundit, ajo e ka zbutur retorikën e ashpër dhe ka kërkuar bashkëpunim me sektorin privat, duke lehtësuar disa kufizime tregtare në ekonominë e vendit.
Rodríguez do të mbetet presidente në detyrë deri në organizimin e zgjedhjeve, të cilat sipas kushtetutës duhet të mbahen brenda 30 ditësh. Por Trump ka sinjalizuar se ky afat nuk do të respektohet, duke deklaruar se vendi duhet “të stabilizohet” përpara se të zhvillohen zgjedhjet.
Ai gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që figura kryesore e opozitës María Corina Machado të marrë pushtetin, duke thënë se ajo nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme, pavarësisht se konsiderohet kundërshtarja më serioze e Maduro-s.


