Lajme

Nga 1 shtatori nis mësimi tërëditor në 7 shkolla të Prishtinës- Përparësitë dhe sfidat e kësaj reforme!

08/28/2025 20:18
nga:N K

Këtë vit të ri shkollor, 7 shkolla të Prishtinës pritet të fillojnë mësimin tërëditor, refromë kjo e cila filloi vitin e kaluar në disa prej shkollave të kryeqytetit.

Shkollat ku do të nisë ky projekt janë: Zenel Hajdini – në kombinim me ndarjen e cikleve me Asim Vokshin, Pjetër Bogdani- në kombinim me ndarjen e cikleve me Emin Durakun, Ali Kelmendi (Barilevë)- gjithë shkolla, klasat I-IX, Ditët e Minatorit (Kishnicë)- gjithë shkolla, klasat I-IX, Teuta ( Grashticë)- klasat I-V, Ganimete Terbeshi (Llukar)-klasat I-V, Avni Rrustemi (Llukar)-klasat I-V.

Këtë e ka konfirmuar për GazetaBlic, Pëllumb Bajqinovci, zyrtar nga Komuna e Prishtinës.

Ai ka treguar përparësitë që i ka ky sistem i të mësuarit.

“Kushte më të mira për nxënësit – mësimi tërëditor u jep fëmijëve më shumë hapësirë, më pak ngarkesë me turne dhe orare të vonshme, duke kontribuar në sukses më të lartë shkollor. Shërbimi i ushqimit, të gjithë nxënësit përfitojnë shujta ditore duke rritur barazinë dhe mirëqenien sociale. Cilësi më e lartë në mësimdhënie, ndarja e qartë e normave dhe orëve mësimore bashkë me rifreskimin e infrastrukturës, krijojnë kushte më efikas për arsimtarët dhe nxënësit. Përmirësim i infrastrukturës, të gjitha shkollat janë gëlqerosur, rinovuar pjesërisht dhe janë përshatur me hapësira për kuzhina”, u shpreh ai.

Bajqinovci tha se pjesë e qeverisjes Rama është inkuadrimi i të gjitha shkollave të Komunës së Prishtinës në këtë reformë.

“Si pjesë e qeverisjes Rama, vizioni ynë është që të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës të përfshihen gradualisht në modelin e mësimit tërësor. Ky model është reforma më e rendësishme në arsim në dekadat e fundit, pasi garanton standard më të lartë evropian në arsim, barazi sociale dhe rritje të cilësisë së jetës për çdo nxënës”, ka thënë ai.

Për reformën në arsim u deklarua edhe Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard.

Qehaja tha se mësimi tërëditor ka shumë përfitime por vështirë i realizueshëm për kushtet në të cilat janë shkollat në Kosovë.

“Mësimi gjithëditor përkundër që në thelb ka shumë përftime, qoftë në mësimdhënie por edhe ndikimin socio-ekonomik, përsëri, në kontekstin e funksionimit të shkollave tona është vështirë i realizueshëm pa ndonjë ristrukturim të mirëfilltë të tërë sistemit. Është e pakuptimtë të pritet që të kemi një zbatim të suksesshëm të këtij procesi kur pikë së pari koncepti arkitektonik i shkollave tona mungon në tërësi në hapësira rekreative, kënde leximi, kuzhina e shumë çka tjetër – dhe është e pakuptimtë që në emër të reformës për njërin nivel të dëmtohet niveli tjetër”, tha Qehaja./GazetaBlic/