Sporti

Newcastle sfidon Barcelonën për sulmuesin e Baselit

12/04/2021 09:27
nga:Mergim Rreci

Është vetëm 23 vjeç dhe ka shënuar 25 gola në 26 ndeshje sezonale. Bëhet fjalë për sulmuesin brazilian Arthur Cabral, që po shkëlqen me Baselin si në kampionatin zviceran, ashtu edhe në kompeticionet europiane.

Me paraqitjet e tij, sulmuesi ka tërhequr vëmendjen e Barcelonës, që nisi kontaktet me klubin e Baselit dhe menaxherët e brazilianit, por së fundi në garë është futur fuqishëm edhe Newcastle, që nuk ka bërë ende asnjë goditje nën erën arabe.

Duke parë vështirësitë për të blerë në Premier League, drejtuesit e Newcastle janë gati të rrëmbejnë Arthur Cabral nga Baseli, duke i ofruar brazilianit edhe një rol mjaft të rëndësishëm në ekip, si kartë joshëse për ta transferuar në Premier League.

Klubi anglez ka para me tepri dhe mund të ofrojë jo vetëm më shumë para për Baselin, por edhe pagë më të majme për Arthur, që duket vërtetë i joshur me ofertën e “Magpies”, pasi do t’i pëlqente që skuadra të ndërtohej rreth tij.

Newcastle është në vendin e fundit në Premier League dhe rrezikon seriozisht rënien nga kategoria, ndaj drejtuesit po përgatiten për një fushatë të fuqishme merkatoje në janar, ku synojnë të afrojnë të paktën 3-4 futbollistë me peshë.