Sporti

Newcastle nuk është i interesuar për Cristiano Ronaldo ose Neymar, tekniku Howe: Kemi gati planin e merkatos

05/05/2023 17:01
nga:E K

Prej kohësh tashmë, në mediat britanike dhe pothuajse në të gjithë botën është aluduar për një klauzolë në kontratën e “superyllit” portugez, Cristian Ronaldo, me arabët e Al-Nassr e cila thotë se në rast kualifikimi për në Champions League të Newcastle, 5 herë fituesi i “Topit të Artë” mund të bëjë rikthimin e tij në Premier League dhe në Champions gjithashtu.

Mirëpo, përveç “luzitanit” për një kalim te “bardhezinjtë” e Newcastle po përflitet dhe për brazilianin Neymar, i cili me shumë mundësi do largohet nga PSG në merkaton e verës. Për këtë arsye ka zgjedhur të reagojë vetë trajneri i “magpied”, Eddie Howe, i cili është shprehur se këto lëvizje do të ishin shumë të vështira të ndodhnin.

“Spekulime ka pasur që nga dita e parë që unë kam marrë drejtimin e skuadrës. Të gjithë mendojnë se më i miri në botë do të arrijë, por ne nuk mund të bëjmë blerje të tilla. Ne nuk mund të peshkojmë një emër dhe ta marrim, ose të blejmë lojtarë që nuk i duam. Duhet të jemi preciz në zgjedhjet tona…

Ronaldo dhe Neymar janë dy lojtarë të mrekullueshëm, por unë nuk do të humb kohë me spekulime. I di drejtimet që skuadra do të ndjekë, e di se kur mund dhe kur jo të bëjmë merkato. Shumë emra kanë dalë së fundmi, por asnjë nuk është i vërtetë. E di gjithashtu se ka njerëz që duhet të bëjnë punën e tyre… gjithsesi ne duam të zbulojmë lojtarë përpara se të shpërthejnë në skenën e madhe të futbollit, po punojmë për të afruar lojtarë të rinj”,- u shpreh tekniku në fjalën e tij.