Pas përgatitjeve intensive në fazën përgatitore në Antalia, skuadra e Ferizajt është gati të nisë stinorin pranveror në Superligën e Kosovës në futboll.
Ferizaj momentalisht ndodhet në vendin e parafundit në tabelë me 19 pikë, teksa synimi kryesor i klubit është të mbetet në elitën e futbollit kosovar edhe për një edicion, shkruan GazetaBlic Sport.
Nevil Dede, trajneri i Ferizajt thotë se është tejet i lumtur me fazën përgatitore dhe atmosferën në ekip para fillimit të sezonit pranveror. Klubi i Ferizajt e nis sezonin e pranverës me duelin ndaj Dritës, që luhet nesër nga ora 13:00.
“Realisht jam i lumtur me grupin e lojtarëve dhe harmoninë, edukatën, respektin që kanë për punën që bëjnë. Kanë përgjegjshmëri aq të madhe sa jam mirënjohës pa fund për ta. Gjendjen e vërtetë do e shohim kur të fillojë gara”, tha fillimisht Nevil Dede për GazetaBlic Sport.
Sipas trajnerit, klubi po punon shumë për të bërë më të mirën, teksa zbuloi se në merkaton e janarit kanë skautuar 300 profile lojtarësh.
“Presidenti, klubi dhe shumë njerëz që janë dashamirës të FC Ferizaj (nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia) kanë bërë e po bëjnë të pamundurën për të forcuar e përmirësuar ekipin. Po harxhohet shumë kohë, energji dhe financë për të bërë më të mirën. Periudha e merkatos së janarit nuk ofron shumë zgjidhje, por besoj se po bëhet më e mira. Mbi 300 profile lojtarësh janë skautuar, kjo është një risi e klubit tonë që po kërkon të ngrihet në një stad tjetër më të lartë drejtimi. Si përfundim, e mira s’ka fund dhe në atë po kërkojmë të bëjmë çdo ditë e më mirë”, vazhdoi trajneri.
Dede e pranon se objektivi i klubit është të mbesin në Superligë, por thotë se po punon të instalohet mendimi që Ferizaj nuk është klub për mbijetesë, por me objektiva të mëdha.
“Objektivi ynë minimal për momentin është të qëndrojmë në Superligën e Kosovës, sepse qyteti i Ferizajt dhe tifozët e meritojnë. Por ajo që kërkoj në këtë moment dhe po mundohemi bashkë me klubin: “Jo më gjërat t’ia lëmë rastësisë, por punës dhe vizionit largpamës”. E para, duhet të kuptojmë se nuk jemi më klub që luftojmë për mbijetesë, por një klub me objektiva dhe ambicie të qarta për të ardhmen. Duhet të jemi të thjeshtë, me këmbë në tokë dhe besim plotë në kapacitetet që kemi si qytet, si klub dhe si skuadër”, shtoi Dede.
Në fund, trajneri shqiptar dha edhe një opinion për futbollin kosovar, ku tha se talentët lindin çdo sekond, teksa ai mbetet me shpresën që infrastuktura të përmirësohet në të ardhmen e afërt.
“Futbolli në Kosovë ka talent dhe shumë pasion e energji. Prodhon kualitet dhe cilësi. Jam i bindur që shumë shpejt mund të përmirësohet në infrastrukturë me mbështetjen e shtetit dhe FFK-së, por kjo nuk vlen pa një investim serioz në burimet njerëzore, sepse nuk vlen fusha e futbollit pa TRAJNERIN dhe ARBITRIN e duhur për të rritur si duhet talentet që lindin çdo sekondë në Kosovë”, përfundoi Dede.
/GazetaBlic Sport


