Lajme

Nevenka Tromp për GazetaBlic: Vetëizolimi për Kosovën nuk është opsion, marrëveshja e Ohrit rrezikon dështimin

02/04/2024 17:22
nga:G C

Nevenka Tromp, njohësja e çështjeve të Ballkanit, ish-Jugosllavisë dhe krimeve të luftës në një intervistë për GazetaBlic ka folur rreth bisedimeve Kosovë-Serbi.

Tromp thotë se edhe pse po bëhen 13 vite të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ajo çka do të ketë rëndësi është marrëdhënia e dy shteteve, si për aspektin e sigurisë ashtu edhe për stabilitetin rajonal.

“Në mars të këtij viti bëhen 13 vite pasi dialogu Prishtinë-Beograd është vënë në lëvizje nën kujdesin e BE-së. Nga pikëpamja e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte dhe mbetet deri më sot, një rëndësi vendimtare për të ardhmen e të dy shteteve”, thotë Tromp.

Tutje, Tromp tha se Vuçiqi po i ikë marrëveshjes së Ohrit dhe kjo sipas saj, rrezikon të jetë një tjetër dështim.

“BE-ja ka qenë e vetëdijshme se dialogu në vazhdim nuk mund të zgjasë përgjithmonë dhe veçanërisht nëse vetëm njëra nga palët në dialog nuk është e përgatitur për mbylljen e negociatave. Ajo që rezultoi nga dialogu ishte se Serbia po përdorte ailogun për përfitimet e saj taktike, por kur ishte fjala për nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, lideri serb Aleksander Vuçiq, gjeti rrugën për të zvarritur momentin e nënshkrimit të tij në atë që ishte rënë dakord më parë. Shembulli më i mirë për këtë ishte përpjekja e fundit e BE-së për të negociuar një marrëveshje gjatë takimit të Ohrit në vitin 2023. E cilësuar tashmë nga Brukseli dhe media si një thyerje e madhe, marrëveshja e Ohrit kërcënon të bëhet një tjetër dështim. Presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e ka nënshkruar ende”, tha Tromp.

“Pas zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi dhe kritikave të BE-së për rezultatin e zgjedhjeve, Vuçiq ka bërë disa lëshime në frymën e marrëveshjes së Ohrit – por në heshtje. Asnjë lider serb – dhe sigurisht jo Vuçiq – nuk dëshiron të hyjë në librin e historisë serbe si një lider që ‘e dha Kosovën'”, shtoi tutje.

Tromp thotë se brenda katër viteve ishte ideja që ekipi i Lajçakut të dilte me marrëveshje gjithëpërfshirëse me nënshkrim nga të dyja palët, por kjo ende nuk ndodhi.

Por, cila është faza e ardhshme?

“Siç e shohim, qeveria e Kosovës është e zënë me zbatimin e masave si targat shtetërore të automjeteve të Kosovës dhe Euron në të gjithë territorin e saj. Nëse shikohet më afër historisë së dialogut të ‘normalizimit’, bëhet e qartë se Serbia e përdor dialogun jo për të arritur marrëveshjen përfundimtare që do të përfshinte njohjen e Kosovës nga Serbia, por për të grumbulluar kohën duke shpresuar se kalimi i kohës do të luante në avantazhin e saj”, tha Tromp.

Tromp thotë se është në interes të Kosovës që ta vazhdojë dialogun, sepse Serbia ka synim rrugën drejt BE-së, e kjo rrugë pa njohjen e Kosovës nuk është e mundur.

“Duke parë nga lindja dhe duke shpresuar se Rusia do të dalë e ruajtjes nga lufta në Ukrainë, Serbia mbështetet në ndryshimin e situatës gjeopolitike në Evropë që do t’i ofronte Serbisë më shumë zgjedhje sesa ka tani. Siç duket, zgjedhjet me të cilat përballet Vuçiç janë – izolimi i mëtejshëm i Serbisë ose një rrugë drejt BE-së. Rruga drejt BE-së nuk është e mundur pa njohjen e Kosovës. Pra, është në interes të Kosovës që të vazhdojë pjesëmarrjen e saj aktive në dialogun për normalizim dhe në mungesë të ndonjë marrëveshjeje përfundimtare për t’u marrë me çështjet administrative dhe politike siç ka bërë tani. Opsionet e Kosovës si subjekt politik në të ardhmen janë bashkëpunimi me OKB-në, SHBA-në, BE-në dhe shtetin fqinj. Vetëizolimi për Kosovën nuk është opsion”, tha Tromp për GazetaBlic.