Lajme

Netanyahu parashtron 3 parakushte për paqen me Gazën

12/26/2023 15:35
nga:Y I

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paraqiti të hënën kushtet për paqen mes Izraelit dhe palestinezëve.

Sipas mediave të huaja, kushtet janë shkatërrimi Hamasit, çmilitarizimi i Gazës dhe deradikalizimi i shoqërisë palestineze.

“Këto janë tre parakushtet për paqen midis Izraelit dhe fqinjëve të tij palestinezë në Gaza,” shkroi ai në një shkrim.

“SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shumë vende të tjera mbështesin synimin e Izraelit për të shkatërruar grupin terrorist,” shkroi ai, duke thënë se për të arritur qëllimin e tij, Izraeli duhet të zhdukë infrastrukturën ushtarake dhe politike të Hamasit.

Ai paralajmëroi se “fajësimi i padrejtë” i Izraelit për viktimat civile “vetëm do të inkurajojë Hamasin dhe organizatat e tjera terroriste në mbarë botën që të përdorin mburoja njerëzore.

Për ta bërë të paefektshme këtë strategji mizore dhe cinike, komuniteti ndërkombëtar duhet t’ia hedhë fajin për këto viktima drejtpërdrejt Hamasit. Ai duhet të pranojë se Izraeli po lufton betejën më të madhe të botës së qytetëruar kundër barbarizmit.”

Së dyti, Gaza duhet të çmilitarizohet në mënyrë që të mos bëhet përsëri një bazë terroriste nga e cila mund të sulmohet Izraeli, tha ai, duke bërë thirrje për një zonë të përkohshme sigurie midis Izraelit dhe Gazës dhe një mekanizëm inspektimi midis Gazës dhe Egjiptit.

“Pritja që Autoriteti Palestinez do të çmilitarizojë Gazën është një ëndërr e çuditshme. Aktualisht financon dhe lavdëron terrorizmin në Jude dhe Samari dhe edukon fëmijët palestinezë që të kërkojnë shkatërrimin e Izraelit”, shkroi ai.

“Pasi të shkatërrohet Hamasi, Gaza të çmilitarizohet dhe shoqëria palestineze të nisë një proces deradikalizimi, Gaza mund të rindërtohet dhe perspektivat e një paqeje më të gjerë në Lindjen e Mesme do të bëhen realitet”, përfundoi ai.

/Euronews Albania/