Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të takohet të mërkurën në Washington me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, ku sipas zyrës së tij do të diskutojnë mbi negociatat me Iranin.
Takimi vjen pas bisedimeve indirekte bërthamore mes zyrtarëve iranianë dhe amerikanë të mbajtura të premten në kryeqytetin e Omanit, Muskat. Të dyja palët kanë deklaruar se raunde të tjera do të zhvillohen së shpejti.
Një diplomat rajonal i informuar nga Teherani i tha Reuters se Irani ka insistuar mbi “të drejtën për pasurimin e uraniumit” gjatë negociatave me SHBA-të, ndërsa kapacitetet raketore të Teheranit nuk janë përfshirë në diskutime.
Zyrtarët iranianë kanë përjashtuar mundësinë që programi i raketave, një nga arsenalet më të mëdha në rajon, të vihet në tryezën e bisedimeve, duke theksuar se duan njohjen e të drejtës për pasurim uraniumi.
Nga ana e tij, zyra e Netanyahu-t ka deklaruar: “Kryeministri beson se çdo negociatë duhet të përfshijë kufizimin e raketave balistike dhe ndalimin e mbështetjes për boshtin iranian.”


