Lajme

Netanjahu i gatshëm t’ia lëshojë karrigen rivalit: Izraeli në prag të marrëveshjes vendimtare

11/29/2026 11:59
nga:Genita C

Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe udhëheqësi i opozitës, Gadi Eisenkot, pritet të zhvillojnë bisedime vendimtare të dielën për formimin e qeverisë së re.

Takimi vjen pasi Netanjahu shprehu gatishmërinë që rivali i tij politik ta marrë fillimisht postin e kryeministrit në një qeveri të unitetit kombëtar me rotacion, raporton BBC.

Zgjedhjet parlamentare të tetorit nuk i siguruan asnjërit prej dy blloqeve kryesore shumicën e nevojshme për të qeverisur.

Partia e qendrës Yashar, e udhëhequr nga Eisenkot, dhe tri partitë e tjera hebraike të opozitës fituan së bashku 48 ulëse, ndërsa blloku i Netanjahut siguroi 53.

Për shumicën parlamentare në Knesetin prej 120 deputetësh nevojiten të paktën 61 vota.

Eisenkotit, ish-shef i ushtrisë izraelite, i ka mbetur vetëm një javë deri në skadimin e afatit për formimin e qeverisë, më 6 dhjetor.

Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Netanjahu deklaroi se ishte i gatshëm të hiqte dorë përkohësisht nga drejtimi i qeverisë.

“Përgjegjësia ime si udhëheqës më detyron të lë gjithçka mënjanë, përfshirë parimin e partisë më të madhe”, deklaroi Netanjahu.