Lajme

Nesër varrimi i të vdekurve në aksidentin në Vardar – njëra nga viktimat kishte ardhur nga Italia – detajet e fundit të tragjedisë në RMV

01/03/2025 16:19
nga:Sh R

Katër persona mbetën të vdekur, ndërsa një fëmijë katërvjeçar shpëtoi nga aksidenti tragjik që ndodhi dje pasdite kur një veturë në rrugën nga Saraji për në fshatin Rrashçe ra në lumin Vardar në Maqedoninë e Veriut. Tri gra u nxorën të vdekura dje, ndërsa një burrë u gjet sot pas disa orëve kërkimi.

Të gjithë ishin të së njëjtës familje Arsllani nga fshati Gërçec i komunës së Sarajit. Varrimi i tyre do të bëhet nesër, ndërsa fëmija është kthyer në shtëpi te familjarët e tjerë pasi mori tretman mjekësor në spital.

N.A. 23 vjeçe, V.A 25 vjeç dhe Z. A. .59 vjeçe dhe A.A 56 vjeç janë viktimat e këtij aksidenti, sipas autoriteteve atje.

Siç raporton Alsat, në veturë ishte burri dhe gruaja e tij, njëra prej vajzave të tyre dhe nusja e djalit e ardhur nga Italia, si dhe fëmija që ka shpëtuar. Ata ishin nisur për një darkë familjare.

Fëmija që mbijetoi kishte fluturuar nga vetura dhe është gjetur në një shkurre në afërsi të vendit të aksidentit.

Ky medium thotë se disa anëtarë të kësaj familje, të cilët rrëfyen për momentin e mbërritjes në vend ngjarje e deri te tërheqja e kufomave, thonë nuk janë të kënaqur nga institucionet përkatëse për punën që kanë bërë dhe mungesën e mjeteve të cilat janë të nevojshme për raste të këtilla”, raporton Alsat.

“Është motra me dhëndrin, me mbesën dhe me nusen e vet. Falë fshatarëve të fshatit Sfillare dhe të fshatrave përreth, ato shumë kanë ndihmuar përndryshe këto të tjerët shumë dobët. Veturën e kam pa atje, e kishin lidh me një litar metalik, këto banorët e fshatrave përreth”, deklaroi Xhevdet Bela, familjar.

U deshën shumë orë kërkim nga pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit, vullnetarë dhe shoqata e zjarrfikësve vullnetarë “Bajram Miftari” nga Komuna e Çairit, të cilët mbrëmë por edhe sot prej orës 7 të mëngjesit ndërmorën aksione për gjetjen e viktimës së katërt të familjes Asllani.

“Operacioni ka filluar prej në ora 19 sepse kushtet e vështira kanë qenë poshtë, ka pas nevojë të priten shumë dru edhe të hyhet me ekskavator deri poshtë edhe me kamionin tonë. Në bashkëpunim me forcat e rendit, policinë dhe njësitin për intervenim të shpejtë “Tigrat”, kemi bashkëpunuar me ato. Njëri prej atyre u zhyt, kishte zhytës, e lokalizuam saktësisht ku gjendet vetura edhe pse një pjesë e veturës ishte jashtë mirëpo nuk shihej se çka ka brenda, si është, sa është thellë. Filluam me tërheqjen e veturës deri në ora 23 e 30, tre orë zgjati operacioni”, tha Artan Demiri, kryetar i zjarrfikësve vullnetarë Çair.

Në fshatin Gërçec janë bërë tashmë përgatitjet për ceremoninë e varrimit të familjarëve për ditën e nesërme. Ndërsa i mituri i vetëm i mbijetuar nga tragjedia mësohet të jetë kthyer në shtëpi, pranë familjarëve të tjerë, në gjendje të mirë shëndetësore.