Lajme

Nesër takimi i partive me presidenten, mes optimizmit e skepticizmit

05/14/2025 22:41
nga:G C

Në Presidencën e Kosovës pritet nesër të zhvillohet një takim mes presidentes Vjosa Osmani dhe përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare. Analistët kanë qëndrime të ndryshme. Disa e shohin si sinjal optimist për dialog, ndërsa të tjerë dyshojnë në rezultate konkrete për shkak të interesave politike.

Iniciativa është marrë pas një kërkese nga Partia Demokratike e Kosovës, duke u cilësuar nga analistët si përpjekje për t’i dhënë një drejtim të ri situatës së ngërçit politik në vend.

Albinot Maloku, analist politik, theksoi se “Presidentja e vendit pranoi një subjekt politik që t’i jetësojë kërkesën. E dyta është që faktori ndërkombëtar figurën e presidentes Osmani po e pranon si më të mirën dhe të pranueshmen në rrethanat aktuale politike në vend dhe e treta që presidentja e vendit ka ofruar zyrën e vet që të bëhet një konsultim nga të gjitha subjektet politike se si të dilet nga situata. Për rrjedhojë ka dozë optimizmi.”

Ndërkaq, analisti tjetër Arbnor Sadiku është skeptik për ndonjë zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar rolin vendimtar të partive politike dhe kufizimet kushtetuese të presidentes.

“Dyshoj shumë se mund të ketë ndonjë rezultat përveç nëse presidentja, nëse ka sërish bllokadë, e çon në Gjykatën Kushtetuese. Mendoj që kjo mund të jetë ndoshta një alternativë. E kundërta dyshoj shumë se mund të ketë ndonjë zhbllokim, për faktin që sidomos pushtetit, por edhe opozitës, i konvenon kjo situatë deri në zgjedhje lokale. E dyta është që më pak se një vit do të shkojmë edhe te zgjedhja e presidentit dhe e treta është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që çdo qeveri që do të bëhet mendoj që tre ose katër muaj pas krijimit do t’i kërkohet që menjëherë të veprojë në këtë drejtim”, tha ai.

Takimi konsultativ në Presidencë është parë si një hap drejt dialogut ndërpartiak, por mbetet të shihet nëse do të prodhojë rezultate konkrete për zhbllokimin e situatës aktuale politike./RTK/