Lajme

Nesër seanca për dialogun, Hoti thotë se kërkesa e Kurtit është shtruar gabimisht

06/10/2021 19:13
nga:Y I

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kërkesa e Kryeministrit Albin Kurti, për diskutim në Kuvendin e Kosovës të premten lidhur me ecurinë e deritanishme të dialogut është shtruar gabimisht

Hoti nëpërmjet një postimi në Facebook tha se Raporti i dorëzuar nga Qeveria për deputetët përmban listën e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut teknik të viteve 2011-2017.

Tutje, ai shtoi se Dialogu në Bruksel tanimë nuk është teknik, por është për marrëveshjen përfundimtare për njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve fqinje.

Reagimi i plotë:

Kërkesa e Kryeministrit për diskutim në Kuvendin e Kosovës të premten lidhur me ecurinë e deritanishme të dialogut është shtruar gabimisht. Raporti i dorëzuar nga Qeveria për deputetët përmban listën e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut teknik të viteve 2011-2017.

Dialogu në Bruksel tanimë nuk është teknik, por është për marrëveshjen përfundimtare për njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve fqinje.

Kryeministri të premten duhet të raportojë në Kuvend për qasjen e tij në këtë proces të ri dialogu:
1. për parimet mbi të cilat do të dialogohet (që në fakt paraqesin vijat e kuqe për palën kosovare),
2. për objektivat e dialogut (çfarë pritet të arrihet në fund të procesit),
3. për organizimin e palës kosovare në procesin e dialogut, për ekspertët dhe institucionet akademike që duhet përfshirë në dialog,
4. për mënyrën se si do të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia gjatë procesit, përfshirë rolin mbikëqyrës të Kuvendit dhe qasjen në proces për shoqërinë civile dhe mediat,
5. për mënyrën si do të sigurohet mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces, koordinimi me ta për objektivat e dialogut dhe përfshirja e tyre në dinamikën e dialogut.

Çdo lloj raportimi që nuk fokusohet në këto pika është përsëritje se seancave të mëparshme të organizuara gjatë dialogut teknik.

Është tepër me rëndësi të kemi qëndrim të qartë nga Qeveria për këto çështje dhe të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm politik dhe shoqërorë për të përmbyllur këtë proces tani kur është krijuar momentumi i nevojshëm dhe kur ekziston qëndrimi i qartë i partnerëve kyç në kuadër të BE-së dhe i SHBA-së.