Nesër do të rivarrosen mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, nga Masakra e Krushës së Vogël.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit rivarrosja e shtatë viktimave të Krushës së Vogël do të bëhet në përvjetorin e Masakrës së Krushës, kjo me kërkesë të familjarëve.
“Në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në fshatin Krushë e Vogël, Komuna e Prizrenit, nesër në ora 12:00 fillon ceremonia e varrimit të shtatë viktimave të Masakrës së Krushës së Vogël”, shkruhet në njoftim
Tutje nga ZKM-ja bëhet e ditur se shtatë viktimat që do të rivarrosen nesër janë: Hysen (Maxhun) Zylfiu, viti i lindjes 1935, i zhdukur me datën 26.03.1999, Nue (Shyt) Prenkaj, viti i lindjes 1960, i zhdukur me datën 26.03.1999, Sami (Aziz) Shehu, viti i lindjes 1974, i zhdukur me datën 26.03.1999, Ahmet (Manush) Berisha, viti i lindjes 1938, i zhdukur me datën 26.03.1999, Nuredin (Qazim) Shehu, viti i lindjes 1927, i zhdukur me datën 26.03.1999 dhe Skifter (Osman) Batusha, viti i lindjes 1981, i zhdukur me datën 26.03.1999.
“Procedurat administrative të dorëzimit të mbetjeve mortore të të shtatë viktimave të luftës, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur janë kryer sot në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, shkruhet tutje në njoftim.
Familjarët e personave të identifikuar janë pritur në takim nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, zv.Drejtori i Përgjithshëm dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
“Gjatë takimit të përbashkët, u theksua angazhimi i institucioneve dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në zbardhjen e së vërtetës dhe evidentimit institucional të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë”, bëhet e ditur në komunikatë.
“Përfaqësuesit e institucioneve falënderuan familjarët e personave të zhdukur, që përkundër dhimbjes së madhe dhe vuajtjes për këto 23 vite, gjithnjë kanë treguar mirëkuptim dhe kanë ofruar gjithë bashkëpunimin e nevojshëm në këtë proces të ndjeshëm dhe kompleks”, përfundon njoftimi.


