Lajme

Nesër mbyllet fushata, ky është numri i ankesave që partitë politike i kanë dërguar në PZAP

10/14/2021 15:06
nga:M K

Nesër në ora 23:59 mbyllet edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 17 Tetorit.

Megjithatë, për dallim nga fushatat e tjera, kjo e tanishmja është mbajtur në kushte të tjera dhe me marrëveshje në parim mes partive, përcjell GazetaBlic.

Lidhur me atë sesi kanë rrjedhur gjërat përgjatë fushatës dhe nëse ka pasur ankesa nga partitë lidhur me thyerje të rregullores për fushatë zgjedhore, GazetaBlic ka kontaktuar me Mulë Deskun, kryesues i sekretariatit të PZAP-it.

Desku, tha se që nga fillimi i fushatës e deri më tani janë paraqitur 12 ankesa, ku 10 prej tyre tashmë janë zgjidhur, ndërsa dy sosh ende janë në shqyrtim.

“Prej fillimit të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 17 tetor 2021, sa i përket pretendimeve nga ankuesit se, ka pasur parregullsi gjatë bërjes se fushatës zgjedhore nga ana e subjekteve të caktuara politike, PZAP ka pranuar 12 ankesa, prej tyre 10 ankesa janë vendosur ndërsa 2 ankesa janë ne procedurë të shqyrtimit, të cilat do të vendosën brenda afatit ligjor”, tha fillimisht ai.

Ndërkaq, kryesuesi i sekretariatit foli edhe për gjobat e shqiptuara, ku konfirmoi se një e tillë është konfirmuar.

“PZAP-i deri me tani ka shqiptuar një gjobë ndaj një subjekti politik: Vendimi i PZAP-it Anr. 604-2021 të cilin mund ta gjeni në UF e PZAP-it”, përfundoi Desku për GazetaBlic.

/GazetaBlic/