Lajme

Nesër mblidhet Kuvendi me seancë plenare, në rend të ditës buxheti i Kosovës për vitin 2025

11/10/2024 23:37
nga:Lorik J

Kuvendi i Kosovës nesër (e hënë) me 11 nëntor do të mbajë senacë plenare me vetëm një pikë të rendit të ditës.

Në këtë senacë, do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Njoftimi u bë nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se seanca do të fillojë nga ora 10:00 e paradites.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2025, që arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se kjo shifër përbën një rritje prej afër 9 për qind krahasuar me buxhetin e vitit paraprak.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti është gjithëpërfshirës dhe reflekton trendin e rritjes ekonomike, ku sipas tij gjatë këtij viti Kosova ka pasur rritje të përshpejtuar ekonomike dhe në terma realë, kjo rritje në fund të vitit do të jetë 4.5 për qind.

Më 4 nëntor, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit opozitarët nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm që është parashikuar të jetë 3.6 miliardë euro.