Nesër në Gjakovë do të mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.
Kryeministrat, Albin Kurti e Edi Rama, do të takohen nesër për herë të parë që pas propozimit të draft statutit të Asociacionit nga kryeministri i Shqipërisë.
Për pritjet nga ky takim dhe mbledhja e dy qeverive, për Gazeta Blic kanë folur analistët.
Analisti Halil Matoshi, thotë se mbledhjet përmbushin kriter folklorik dhe nuk kanë ndikim për qytetarët.
“Këto janë mbledhje që përmbushin kriterin folklorik dhe njëfarë neonacionalromantizmi, porse pa asnjë hajr për qytetarët e dyja shteteve”, thotë ai.
Sipas Matoshit, Rama i ka shkaktuar dëm Kosovës duke e nxjerrë keq në sy të vendeve tjera, dhe ai e Kurti hedhin gurë e dru mbi njëri-tjetrin dhe bëjnë marrëveshje që nuk zbatohen.
“Edi Rama i ka politikat e jashtme atipike, por sovrane. Ai i ka shkaktuar dëm Kosovës duke e nxjerrë keq në sy të vendeve tjera, me “Ballkanin e hapur”. Po ashtu kemi dy kryeministra që hedhin gurë e dru mbi njëri-tjetrin dhe dhjeta memorandume bashkëpunimi që kurrë nuk janë zbatuar. Importi i produkteve shqiptare në drejtim të Kosovës ishte vetëm 65 milionë euro, ndërsa importi i mallrave nga Serbia është 360 milionë euro në vit”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.
Kurse, lidhur me draft statutin e propozuar nga Rama, Matoshi thotë se këtë të drejtë ekskluzive e ka vetëm Kosova dhe jo ndonjë shtet tjetër.
“Në anën tjetër, kryeministri Rama është normale të japë ide e propozime për Kosovën por draft-statuti për Asociacionin është e dejtë ekskluzive e mekanizmave kushtetues të Kosovës sepse këto të drejta për komunitetin serb në veri të Kosovës, e detyrime ndërkombëtare të saj, burojnë nga ama juridike kosovare dhe jo të ndonjë shteti tjetër”, deklaron Halil Matoshi.
Ndërsa, analisti Gazmir Raci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se drafti nuk ka vlerë dhe Shqipëria nuk duhet të propozojë diçka të tillë, pasi Rama nuk është i autorizuar për këtë.
“Ai draft nuk ka vlerë sepse nuk është e Shqipërisë të propozojë diçka të tillë sepse dialogu i Brukselit e ka definuar shumë mirë. Tashmë edhe miku i Ramës, Vuçiçi e tha që Rama nuk është i autorizuar për të draftuar diçka”, thekson analisti.
Sipas tij, raportet Kosovë-Shqipëri janë raporte gjaku, atdhedashurie, lufte të gjatë për liri e bashkim, duke shtuar se mos rreshtimi i Ramës krah Kosovës, do të jetë njollë në raportet e kësaj qeverie me Kosovën.
“Raportet Kosovë-Shqipëri janë raporte gjaku, atdhedashurie, lufte të gjatë për liri e bashkim, kështu që raportet politike të lidershipit nuk rrezikojnë asgjë. Edi Rama kësaj radhe nuk u rreshtua krah Kosovës dhe kjo do të jetë një njollë në raportet e kësaj mazhorance me Kosovën”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/


