Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të ketë kufizim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit të ministrisë, kufizimi në autoudhë do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta, të cilat sipas parashikimit pritet të arrijnë 32°C ose më shumë.
Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi do të lejohet pa kufizime.
Nga ky kufizim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që ta respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.


