“Samiti për Demokraci”, i organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të mbahet të enjten dhe të premten. Aty do të marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga e gjithë bota duke përfshirë edhe Kosovën.
Pas shumë diskutimeve dhe pjesëmarrjes ose jo të Kosovës në këtë Samit, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e pati publikuar në Facebook ftesën zyrtare nga presidenti amerikan.
“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet. Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, pati shkruar Osmani.
Administrata Biden përmes këtij samiti ka për qëllim që të dëshmojë se demokracia mund të funksionojë në shoqëri dhe të përmirësojë jetët e njerëzve, dhe, njëkohësisht, për të ju kundërvënë lëvizjeve autoritare nëpër shtete të ndryshme të botës.