Sporti

Nesër dhe pasnesër ndeshjet e Kupës së Kosovës në basketboll

01/06/2026 15:03
nga:Mergim Rreci

Viti 2026 në basketbollin e Kosovës do të fillojë fuqishëm me ndeshjet çerekfinale e Kupës.

Përballjet e para do të sjellin emocione të mëdha, me duele interesante.

Të mërkurën do të sfidohen kampionia Trepça dhe ish-kampioni Golden Eagle Ylli. Duke marrë parasysh rëndësinë e ndeshjes, pritet një përballje mjaft interesante në Mitrovicë, me të dy skuadrat që synojnë fitore, por me koshdallim sa më të lartë. ‘Xehetarët’ janë fitues aktual të Kupës.

Takimi tjetër i ditës së nesërme është ndërmjet Borës dhe Rahoveci 029, ku të dy skuadrat synojnë fitoren, por njëkohësisht edhe kalimin në gjysmëfinale.

Ndeshje interesante pritet të enjten. Vëllaznimi – Sigal Prishtina është një takim i barabartë dhe me emocione të mëdha.

Bashkimi – GO+ Peja është dueli kryesor i çerekfinaleve, i skuadrave me traditë dhe që kanë nisur mjaft mirë edicionin, duke u gjendur në pjesën e epërme të renditjes. Të dy skuadrat do të bëjnë çmos për fitore në ndeshjen e parë, e më pas sigurisht të kualifikohen në gjysmëfinale.

Ndeshjet kthyese çerekfinale do të zhvillohen më 21/22 janar.

Në çerekfinale do të zhvillohen dy ndeshje me sistem vajtje-ardhje dhe skuadra më e mirë nga të dy ndeshjet kualifikohet në gjysmëfinale.

Çerekfinalet e Kupës

E mërkurë

18:45 Trepça – Golden Eagle Ylli

18:45 Bora – Rahoveci 029

E enjte

18:45 Vëllaznimi – Sigal Prishtina

18:45 Bashkimi – GO+ Peja