Lajme

Nesër ceremonia e betimit të kryetarëve në veri, flasin ekspertët e sigurisë: A ka rrezik për tensione?

05/24/2023 22:19
nga:G B

Nesër do të mbahet ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj të komunave veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Lidhur me ceremoninë dhe rrezikun për tensione atje, studiuesi i sigurisë, Armend Halimi, thotë për Gazeta Blic se situata e re e krijuar në veri duhet të cilësohet si kthim normaliteti.

“Situata e re e krijuar në veri të vendit është situatë që do të duhej cilësuar si kthim normaliteti, në vend të propagandës serbe që flet për të kundërtën, apo fatkeqësisht reagimeve të pakuptueshme të disave mes nesh”, thotë ai.

Sipas Halimit, Serbia dhe Lista Serbe si dorë e zgjatur e saj në Kosovë pasqyrojnë propagandën, derisa çdo gjë është në favor të qytetarëve serbë dhe sipas Kushtetutës.

“Në fakt, reagimet nga Serbia dhe nga dora e saj e zgjatur brenda Kosovës, Lista Serbe, më së miri pasqyron një gjë të tillë. Çdo gjë që është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, në këtë drejtim edhe kur shkon në favor të vetë qytetarëve serbë, me vet faktin që bëhet fjalë për rendin kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës, Serbia është kundër”, vlerëson studiuesi i sigurisë për Gazeta Blic.

Ai shton se Serbia synon destabilizim të Kosovës dhe i nxitë e detyron serbët për kryengritje.

“Andaj, s’do mend që Serbia asnjëherë nuk ka pasur të drejtë kundruall Kosovës, në fakt është përpjekje për destabilizim të vendit, në pamundësi me agresion të hapur, do të nxis kryengritje të serbëve, madje duke i detyruar këta të fundit”, potencon Halimi.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet ta qortojë Serbinë, ndërsa institucionet e vendit të reagojnë me mekanizma legjitim ndaj çdo provokimi dhe t’i ndihmojnë serbët e Kosovës nga kërcënimet e Serbisë.

“Ndaj kësaj qasje të Serbisë, padyshim që bashkësia ndërkombëtare do të duhej të jetë qortuese, ndërsa institucionet e Kosovës të reagojnë me mekanizmat e veta legjitim ndaj çdo provokimi, në të njëjtën kohë t’iu dalin në ndihmë qytetarëve serbë në Kosovë nga kërcënimet e Serbisë për ta”, deklaron Armend Halimi.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic, se ceremonia e nesërme do të vazhdojë nën masa të sigurisë, por me protesta me protesta formale të nëpunësve në kuvendet komunale, derisa Beogradi ka thënë udhëzim.

“Procesi për marrjen e mandateve të tre kryetareve në veri ditën e nesërme do të vazhdojë nën masa të sigurisë, por me protesta formale të nëpunësve në kuvendet komunale. Sepse tani Beogradi ka dhënë udhëzimin që të pengohet procesi pas emërimit të kryetarëve për të “legjitimuar” pastaj në arenën ndërkombëtare veprimet e tyre”, shprehet ai.

Sipas Shalës, ne nuk duhet të rrëshqasim në ndonjë skenar të mundshëm pas datës 1 qershor.

“Pra, ne nuk bën të rrëshqasim në ndonjë skenar të mundshëm të orkestruar pas datës 1 qershor, e cila mund të fillojë një fushatë të re kundër tentativës për rikthim të autoritetit zyrtar të institucioneve të Kosovës”, deklaron eksperti i sigurisë, Drizan Shala./Gazeta Blic/