Lajme

“Nëse Talat Xhaferi do të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve, do të quhej shqiptar”, thotë këshilltari i Kurtit

01/28/2024 17:16
nga:G B

Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur kritika ndaj kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Sipas Qokut, Xhaferi, i cili ka shërbyer si komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), nuk ka bërë një hap që do ta kualifikonte si shqiptar autentik – kjo pasi sipas tij, Xhaferi do duhej të kishte bërë homazhe si gjest të parë simbolik në respekt të dëshmorëve të konfliktit të vitit 2001.

“Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001, ku do të shprehte mirënjohje dhe respekt, sepse pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur të tyre, kjo arritje simbolike nuk do të ishte aspak e mundur”, ka shkruar Qoku.

Ndryshe, Talat Xhaferi është emëruar si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që e pranon këtë pozitë shtetërore.

Me 65 vota pro dhe 3 kundër deputetët votuan Qeverinë teknike e cila do të jetë në funksion 100 ditë.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së ndonëse ishin në sallë ata ashtu edhe siç paralajmëruan nuk votuan qeverinë teknike, derisa deputetët e opozitës shqiptare nuk ishin prezent në sallë.

Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet presidenciale.

Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.

Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.