Policia e Kosovës,respektivisht Stacioni policor i Podujevës, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve që me informacionet e tyre të ndihmojnë në identifikimin e një të dyshuari për tentim grabitje.
Policia ka ndarë edhe fotografi të të dyshuarit, i cili ende ndodhet në arrati.
“Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, në hetimin që po zhvillohet për rastin “Grabitja në tentativë ” të ndodhur më 11.08.2025, në një pompë derivatesh, në fshatin Gllamnik – komuna e Podujevës, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit sipas tipareve fizike apo lokalizimin e vendndodhjes së tij”, thuhet në njoftimin e PK-së.
“Ne vlerësojmë lartë bashkëpunimin me komunitetin për një shoqëri pa krim, andaj presim që informacionet tuaja t’i kontribuojnë identifikimit dhe arrestimit sa më të shpejtë të tij”.


