LDK e LVV u dakorduan që të vazhdojnë bisedimet për formimin e institucioneve, pas takimit të parë që patën.
Por, aktualisht diskutimet janë pezulluar, për shkak të zhvillimeve në LDK, ku 151 delegatë kanë dërguar nënshkrimet e tyre për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Lidhur me këtë, analistja politike, Alma Lama, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti do ta dërgojë Abdixhikun te burimi por nuk do t’i japë ujë.
Sipas saj, duke qenë gjendja e tillë në LDK, s’mund të ketë marrëveshje me VV-në.
“Mendoj se z.Kurti do ta dërgojë Abdixhikun te burimi por nuk do t’i japë ujë. S’mund të ketë marrëveshje pasi kryetari i LDK-së e ka partinë të përçarë dhe po kërkohet dorëheqja e tij. Një numër i deputetëve mund të mos e votojnë një kandidat për president”, ka vlerësuar ajo.
Por, edhe nëse arrihet një marrëveshje, Lama thekson se Kurti do ta prishë pastaj marrëveshjen, pasi i ka numrat për qeveri.
“Por, edhe nëse pajtohen për ta zgjedhur presidentin dhe LDK hyn në qeveri, Kurti i largon nga koalicioni menjëherë, sepse për qeverinë Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat. Çdo parti që hyn në qeveri me të, nuk do të ketë pushtet real”, ka deklaruar Alma Lama./Gazeta Blic/
“Koalicioni me VV-në rënie pa kthim për LDK-në – Abdixhiku e Osmani kanë rënë në lojën e Kurtit”


