Lajme

Nepotizëm në KRU “Prishtina”: Hidajete Mustafa-Sadiku avancohet në pozitën e UD të Drejtorisë Komerciale, ku vajza e axhës së saj është anëtare e Bordit

12/05/2022 14:32
nga:G C

Hidajete Mustafa-Sadiku është emëruar U.D Drejtoreshë Komerciale në Kompaninë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” (KRUP), aty ku punon edhe një familjare e ngushtë e saj.

Burime të Gazeta Blic thonë se ky emërim i Sadikut dyshohet se erdhi në baza nepotizmi pasi që, Saxhide Mustafa e cila është vajza e axhës së Sadikut, mban pozitë të lartë në KRU “Prishtina”- si anëtare e bordit të KRUP-së.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me Hidajete Sadikun e cila e konfirmoi që tashmë është U.D Drejtoreshë Komerciale në këtë kompani.

Në anën tjetër, Sadiku mohon që vajza e axhës së saj ka ndikuar që bordi ta vendos në këtë pozitë.

“Është e vërtetë që jam punësuar si ud. drejtoreshë e komerciale në KRUP, por për këto nuk jam unë kompetente me fol. Nuk është e vërtetë që Saxhide Mustafa ka luajtor rol në emërimin tim në këtë pozitë”, tha Mustafa-Sadiku për GazetaBlic.

GazetaBlic ka kontaktuar edhe me kryesuesen e Bordit të KRUP-së, Teuta Ukshini-Aliu e cila thotë se një emërim i tillë ka ardhë vetëm duke u bazuar në kompetenca, që për momentin sipas saj janë duke u kërkuar në këtë kompani.

Aliu shton se, kryeshefi ekzekutiv e ka bërë vlerësimin e të gjithë personelit duke u bazuar në kompetencat dhe aftësit kyqe, ku sipas saj Sadiku i ka përmbushur të gjitha këto pika që po kërkoheshin.

“Unë jam kryesuese e bordit, me kompetenca sipas ligjit për ndërmarrje publike kryeshefi ekzekutiv e ka të drejtën e plotë me i zgjedh menaxherët e lartë në ndërmarrje. Nuk diskutohet në mbledhje të bordit punësimet dhe emërimet e tilla. Për rastin në fjalë, ne jemi të njoftuar. Kryeshefi ekzekutiv e ka bërë vlerësimin e të gjithë personelit duke u bazuar në kompetencat dhe aftësit kyqe, andaj një emërim i tillë ka ardhë vetëm duke u bazuar në kompetenca për momentin se çfare është niveli i punëtorit, aspak nuk ka të bëjë me referenta ose diskutime brenda mbledhjeve të bordit”, tha Aliu për GazetaBlic.