Lajme

Nënshkruhet memorandumi, artet marciale përfshihen në programet e FSK-së

03/29/2023 15:23
nga:Astrit Gashi

Artet marciale tashmë do të përfshihen në programet e përhershme trajnuese dhe arsimore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kjo do të bëhet përmes një memorandum të bashkëpunimit që Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar me atë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Federatën e Xhudos.

“Nga sot me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Federatës së Xhudos, po i japim jetë konceptit të integrimit të arteve marciale në programet e përhershme trajnuese dhe arsimore në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar në Facebook ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai tutje ka thënë se ky koncept që është në linjë me programin “Kosova, shtet i xhudos”, do të fillojë së zbatuari gjatë këtij viti si pjesë e trajnimeve formale të nivelit bazik.

“Ndërsa, ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, ashtu që në kuadër të investimit në arsimimin dhe trajnimin e ushtarëve në fushën operacionale, përmes angazhimit të xhudistëve tashmë të mirënjohur ndërkombëtarisht, të aftësojmë ushtarakët tanë edhe në aplikimin e arteve marciale, si metodë për vetëmbrojtje, neutralizim të kundërshtarit, por dhe nxitje të shpirtit garues ndërmjet ushtarëve, pasi programi është ambicioz, me synimin që Forca e Sigurisë së Kosovës të marr pjesë në garat botërore multidisiplinare të Këshillit Ndërkombëtar të Sporteve Ushtarake”.

Përmes këtij programi përveç investimit në përgatitjen e oficerëve dhe ushtarëve, Mehaj ka deklaruar se po vlerësojnë edhe profesionalizmin e xhudistëve duke i angazhuar në institucionet e sigurisë së Kosovës.