Lajme

Nënshkruhet marrëveshja për tri shkolla të reja në Prishtinë, Rama: Projekt i mirëfilltë

12/05/2022 10:08
nga:G C

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje partneriteti me kompaninë “Bau Scholl”, për ndërtimin e tri shkollave të reja në vlerë prej mbi 13 milionë euro.

Lagjet përfituese të këtij projekti janë Sofalia, Mati dhe Veterniku, ndërsa projekti do të jetë dy vjeçar.

I pari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se ndërtimi këtyre shkollave do të mundësojë që 2 500 nxënës të vijojnë mësimin në periferi të kryeqytetit.

Madje tha se edhe qendra do të lirohet nga makinat.

“I kemi tri shkolla në periferi të Prishtinës. Në Sofali, në Mat dhe në Veternik. Shkolla do të mundësojë që për 2 500 nxënës nëpër këto shkolla”.

“Me ndërtimin e këtyre shkollave do të ketë 2 500 makina më pak do të kenë nevojë me ardh në qendër të Prishtinës”.

“Kostoja është pak më shumë se 13 milionë për tri shkolla dhe kostoja është e vitit 2020 dhe kemi pas mirëkuptim që të mbesin kostot siç kanë qenë”, tha Rama.

Pajtim Jakupi nga “Bau Scholl”, tha se projekti do të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Shpresojmë që këtë që e nënshkruam së bashku me kryetarin do të jetë në të mirë të banorëve të Prishtinës”.

“Do të ndërtohen tri shkolla në tri lokacione të ndryshme dhe do të mundohemi që të jetë në shfrytëzim të mirë të qytetarëve”, tha ai.