Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja në vlerë prej 86 milionë euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përmes së cilës parashihen investime në 400 ndërtesa publike në Kosovë.
Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marë pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtori i BERZH-it në Kosovë Sergiy Maslichenko, si dhe Drejtori Menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi.
“E mira e kësaj marrëveshje është që e njejta përforcohet edhe më tej me grantin e mbështetjen prej 20 milionë eurosh të siguruar nga institucionet e tjera partnere, siç janë Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Danimarkës”, ka deklaruar Murati.
Ministrja Rizvanolli ka thënëse është e domosdoshme që ndërtesat publike të jenë të izoluara mirë dhe të kenë masa të efiçiencës në mënyrë që konsumi i përgjithshëm në vend të ulet,e rrjedhimisht të lehtësohet sistemi elektroenergjetik dhe të reduktohen kostot financiare.
Nga ana e tij, drejtori i BERZH në Kosovë, z. Maslichenko, ka theksuar se ky projekt dëshmon partneritetin e fortë ndërmjet BERZH dhe Kosovës, ndërsa Drejtori Menaxhues i FKEE, z. Driton Hetemi, ka thënë se projekti pritet të nisë gjatë këtij viti dhe do të përfundojë deri në vitin 2031.