Lajme

Nënshkruhet kontratë me fabrikën e municioneve turke, Kurti: Po vihen themelet e industrisë së mbrojtjes

12/16/2024 17:52
nga:G B

Kryeministri Albin Kurti ka nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE).

Ai përmes një postimi në Facebook thotë se me këtë kontratë po vendosen themelet e industrisë së mbrojtjes së Kosovës.

“Sapo nënshkruam kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes”, ka shkruar Kurti.

I pari i qeverisë shton se me këtë kontratë   përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim.

Po ashtu, shefi i qeverisë thotë se me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100 për qind vendore.

“MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s. Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, shkruan kryeminsitri.